Nga Ajn
Dita e 49 e karantinës. Gjatë 24 orëve të fundit ka patur 7 raste të reja të infektuarish duke e rritur numrin e tyre në nivel kombëtar në 789 nga të cilët 519 janë shëruar. Numri i pacientëve aktivë është 239, i të shtruarve 31, nga të cilët 7 janë në terapi intensive. Ky ishte lajmi për sot, më tej do ndalem te parashikimet për të nesërmet. E diela lejon të moshuarit të dalin deri në orën 10, më tej prindërit e fëmijët deri në orën 17:30- por leja e qeverisë është një, tjetra, nëse këta do i lejojë shiu të dalin, nuk dihet.
Megjithatë, edhe të lagesh në shi, pas mbylljes së gjatë, nuk është gjë e keqe. Të mos harrojmë se as kjo nuk na lejohej. Unë kam që kur kam qenë fëmijë që nuk kam vallëzuar në shi, duke i kthyer sytë nga qielli për të parë pikat e mëdha të ujit që vraponin. Ndaj nesër, nëse bie shi, do mbyll sytë e të kërcej, duke ëndërruar detin. E sivjet në det do shkojmë me rregulla të reja: çadrat larg, dezinfektues me vete, më shumë se krem dielli. E ka një anë të mirë kjo punë- iku koha e çadrave ngjit e ngjit, kur loja me letra e tri çadrave matanë nuk na linte të merrnim një sy gjumë. Tani ne do jemi më se 2 metra larg, në plazh, në kafe, në restorant. Oh çfarë çlirimi për ne që qemë lodhur nga ngucja në ‘ashensorë’ të vegjël kudo. Veçse, oh sa vështirë të gjejmë vende për të qenë, dhe vende në vetvete, në plazhe që edhe ashtu e nuk gjeje çadër, mendo tani, me 2 metra larg çdo gjejmë. Mbase na duhen pushime në mal ose duhet të rezervojmë që sot pushime me protokoll.








