Nga Ajn
Dita e 27 e karantinës. Katër javë më parë, e enjtja qe dita e fundit e punës. Të premten pastaj u mbyllëm në shtëpi për tri ditë. Dhe ja ku jemi 4 javë më pas ende të mbyllur dhe pa një datë se kur do dalim. 409 të infektuar e 23 të vdekur në 4 javë dhe një ligj që dënon ata që thyejnë rregullat deri në 15 vite. Kryeministri flet për në jetë të re, jo me termat që flas unë, por për hapje graduale me 100 rregulla, që do na duhet të na i mësojmë një e nga një dhe shoh në sfond një jetë të re për disa muaj të gjatë. Nuk ka një “V day”, por ka një luftë ku betejat janë më të pakta, pa tanke e bomba, po ku lufta vazhdon me pushkë, me lopata, me tenxhere a kusi, me garuzhde, gota a shpulla, por vazhdon dhe është një tranzicion mes luftës së madhe dhe paqes, por ku të shtënat dëgjohen në mënyrë sporadike por të vazhdueshme.
Kur të dalim “jashtë” nuk do jetë njësoj, jashtë nuk do jetë ajo që kemi lënë. Ajo, nuk është më. Thjesht nuk është. Do të duhet të rrimë larg edhe pse mund të jemi afër, tashmë vetë konceptet larg e afër do të duhet të maten me metra, duke rrëzuar atë që kemi ditur. 4 javët larg njëri-tjetrit vetëm sa na kanë mësuar të rrimë larg, e kështu do të na duhet të rrimë për shumë kohë. Larg tashmë është “të jesh afër”./revistawho.com