Nga Ajn
Dita 42 e karantinë. 712 të prekur, vetëm sot 34, që është numri më i lartë i rasteve për 24 orë që nga nisja e pandemisë së COVID 19 në Shqipëri. Burgjet dhe fasoneritë kanë merita më ngritjen e këtij piku që e mbajtëm në ritme të ulëta. Është ironike të rrish dy muaj mbyllur e të humbasësh punën e të ardhurat për të mbërritur në askund. Gjithë mundi e sakrifica na vajti kot, rastet po rriten dhe kjo të kuptohemi është një rrugë nëpër të cilën do kalojmë, vetëm se për të arritur në këtë në këtë përfundim, kemi paguar shumë. Të hënën hapen edhe disa biznese që do të thotë më shumë njerëz në rrugë e në punë dhe me këtë edhe rastet do rriten. Na u desh tërë kjo sakrificë për të kuptuar që pandemia do zgjasë “nukdihetsesa” dhe ne nuk mund të rrimë mbyllur një vit. Ndaj pasi rrëzuam edhe ekonominë e brishtë tani do dalim të tërë të punojmë, si punëtorë ambulant se aq do fitojmë me ekonominë përtokë, “të shesim kininë” e ti biem kokës me grushte e murit me kokë. Kjo ishte dita e parë me pik, do ketë edhe piqe të tjera, sepse pandemisë, siç edhe vdekjes nuk i shpëton dot, ato vijnë edhe në Samarkand. Ditë të vështira na presin, por do ia dalim. E mësuam se rruga e parë nuk qe menduar mirë, tani do provojmë këtë tjetrën. Tashmë duart kemi mësuar t’i lajmë, edhe të rrimë larg, edhe të mos dalim për kafe, edhe të mos jemi të lirë. Na mbetet vetëm të mbetemi gjallë, disi. Ruani veten, ruani jetën.