E ftuar në podcastin “Zë me Mirën” nga gazetarja Mira Kazhani, blogerja dhe sipërmarrësja Armina Mevlani ndau momente personale dhe të ndjera nga jeta e saj private dhe profesionale. Në një bisedë të sinqertë, ajo foli për lidhjen 13-vjeçare me Shkëlzen Berishën, komentet në rrjet, shtimin në peshë, vendimin për ngrirjen e vezëve dhe sfidat që vijnë me sindromën PCOS.
Dashuri si në filma romantikë
Armina tregoi se njohja me partnerin e saj ka qenë krejtësisht organike dhe pa ndonjë qëllim apo pritshmëri specifike. “Ardhja e Shkëlzenit nuk ka qenë kërkim i imi. Kam pasur fat në disa aspekte… Kam thënë: dua një mashkull që të jetë intelektual dhe të rritemi bashkë profesionalisht,” – tha ajo, duke theksuar se nuk e dinte kush ishte Shkëlzeni kur e njohu për herë të parë.
Ngrirja e vezëve dhe përgjegjësia për të ardhmen
Në një moment reflektimi mbi vendimet jetësore, Armina foli hapur për zgjedhjen për të ngrirë vezët, duke theksuar se ka qenë një vendim i ndërgjegjshëm dhe i pavarur. “Jam pro kësaj gjëje sepse unë kam vendosur vetë që pres… Fëmija është një përgjegjësi shumë e madhe, duhet t’i dedikosh kohë,” u shpreh ajo, duke shtuar se nuk e sheh si të drejtë idenë që një fëmijë të rritet nga të tjerë në mungesë të prindit.
Armina tregoi se vuan nga PCOS (sindroma e vezoreve policistike), e cila ndikon në peshën trupore dhe ciklin menstrual. Ajo u shpreh se ndryshimet trupore shpesh janë rezultat i medikamenteve dhe gjendjes shëndetësore. Megjithatë, komentet dhe aludimet për një shtatzëni të mundshme nuk kanë munguar, por Armina i ka përballuar me qetësi dhe klas.
“Unë ndryshoj me javë për shkak të medikamenteve,” – tha ajo, duke shtuar se vendimi për ngrirjen e vezëve është gjithashtu një faktor ndikues në ndryshimet fizike.
Përmes kësaj interviste, Armina Mevlani dha një mesazh të fortë për të gjitha gratë: të mos ndihen të detyruara nga presioni shoqëror, të marrin vendime në kohën dhe mënyrën që i përshtatet më së miri jetës dhe shëndetit të tyre.








