Një sherr virtual ka nisur ditën e djeshme midis stilistes Enada At Nikolla, botuese e revistës “Bordo” dhe koleges së saj Bora Kokëdhima e fotografit Endrit Mërtiri. Revista “Bordo” nën pronësinë e At Nikollës, akuzoi Endrit Mërtirin Bora Kokëdhimën se kanë kopjuar temën e editorialit të numrit të parë të saj, veshjet e të cilave janë realizuar nga Enada At Nikolla. Sipas kësaj reviste, seti fotografik i Mërtirit i publikuar të shtunën me veshjet e Bora Kokëdhimës, është kopje e koleksionit të një viti më parë të stilistes Enada At Nikolla. “Gati një vit më pas, një imitim i këtij koleksioni, e mandej edhe një pozë vjen nga stilistja Bora Kokëdhima, që është prezantuar nën siglën Savage dhe fotografi Endrit Mërtiri, teksa pozon modelja Elena Lika. Është kjo mungesë krijimtarie, apo dëshirë për vëmendje?!”, ka shkruar ndër të tjera “Bordo”. Nuk ka vonuar përgjigja e Endrit Mërtirit, i cili ka zgjedhur të reagojë përmes një statusi në llogarinë e tij të “Facebook”. Mërtiri ka publikuar një foto të realizuar nga ai vetë në vitin 2014-të, në të cilin përdoret e njëjta “frymë”, pra kapelet-lule. Sipas tij, ai ka qenë i parë që ka bërë set fotografik në këtë frymë në vendin tonë, në një kohë kur revista “Bordo” nuk ishte ngjizuar ende.
Sakaq dy stilistet e kanë lënë për ta thënë fjalën e tyre një ditë më pas. Sot edhe At Nikolla zgjodhi rrugën virtuale për thënë të sajën. Përmes një deklarate të gjatë në rrjetet sociale, stilistja pyet edhe një herë se kush nga të dy, ka kopjuar… “Përshëndetje miq! Besoj e kam rradhën për të folur unë. Nuk kam shumë qejf për cic-mice, dua të them që ajo që shoh dhe konstatoj, nuk ka gjasa të jetë e kundërta. E bëj shumë rrallë, por duhet ta kisha bërë më shpesh. Unë ju drejtohem hapur, kush nga ju e bëri, Endrit Mërtiri apo Bora Kokëdhima? Jam një vëzhguese e kujdesshme për gjërat që ndodhin në fushën e modës në Shqipëri, dhe konstatoj që nga koleksioni i fundit i Bora Kokëdhimës kalimi nga sfilata në editorialin e modës ka një ndryshueshmëri të modelit nga paraqitja ne sfilatë. Kur kalimi nga sfilata në editorial, kalon në kopje, një stilist duhej të shqetësohej! Dhe kjo për faj të kujt?! Dje u publikuan këto foto. Unë shihja ngjashmëri, gjë që vazhdoj ta shoh dhe sot! Dhe për të qenë më korrekt me ju, m’u desh të pyesja miq dhe njerëz që më rrethojnë, nëse ka ngjashmëri, apo vetëm unë e shoh kështu?! E pyetur dje nga e vetmja media anabel.al në një intervistë telefonike u shpreha se “Lulet nuk janë shpikur nga asnjëri nga ne. Po të kërkosh në internet kupton që revista në të gjithë botën i kanë përdorur ato kahera nëpër kopertinat e tyre. Thelbi është tek editoriali, i cili është përsëritur”. Pati zëra pranë meje që më thanë përse e ngrite deri në këtë nivel. Dua t’ju them, se kapelet lule të krijuara nga unë janë në përshtatje përfekte me secilën nga veshjet, të ndryshme midis tyre. Në këtë rast po flasim vetëm për kopjimin e një kapele-lule, shumë herë më modeste në paraqitje, sesa të editorialit të firmosur prej meje për BORDO. Dhe pyes kush e bëri këtë, Endriti apo Bora? Sepse pas çdo editoriali mode qëndron firma e stilistit. Por, duke njohur nga afër fotografin, i cili punoi me editorialin që po flasim, natyrshëm mendoj që është ide e ofruar prej tij. I drejtohem atij sepse është një zë i rëndësishëm, ashtu si dhe unë, në fushën në të cilën ne operojme, në të kundërt nuk do të isha marrë me këtë gjë, si shumë herë të tjera. E bëj këtë për t’i dhënë notat dhe respektin e duhur fushës të cilës i takojmë! Kam ndjekur me shumë vëmendje, madje mora kohë për t’ju përgjigjur të gjithëve. Edhe për një arsye tjetër, që sot në përgjigjen time të jem më e saktë dhe e drejtpërdrejtë. Për të gjithë ju që nuk ju vjen mirë për ekzistencën e BORDO, më vjen shumë keq, tashmë BORDO ekziston. Madje, shumë e zënë këto ditë për numrin e gjashtë, finalizimin e një viti pune. Për të gjithë ata që aludojnë dhe shqetësohen, është momenti ta mësoni se nën pronësinë e kujt është BORDO. Revista është nën pronësinë e Enada At’Nikolla dhe Ilda Lumani. Drejtore imazhi Enada At’ Nikolla dhe drejtore ekzekutive Ilda Lumani. Jam shumë kurioze për takimin e rradhës timin me të gjithë ju. Çfarë do të zgjidhni për të më thënë…, që shpesh është e kundërta e asaj që shkruani në rrjetet sociale. Më vjen keq, pasi po të kishit sy më vëzhgues dhe kritik, do të kishit bërë një punë më të mirë për revistat për të cilat punoni. Dhe duke qenë realë do t’i çonit ato më përpara, me më shumë dinjitet dhe seriozitet. Për ata miq që keni afër, ndonjëherë mik i mirë është ai që thotë të vërtetën, megjithëse e vërteta nuk është se pritet gjithmonë mirë, edhe kur e thotë një mik. Më vjen shumë keq për mesazhet e shkruar në mënyrë private në BORDO. Endrit, këndi yt i vështrimi është më i shkurtër se ai që mendoja për ty. Mund të flasësh me përpuzje për BORDO, mund t’ja thuash atë kujtdo, por jo mua, që e di shumë mirë dëshirën tënde për të qenë pjesë e saj. BORDO ekziston! Sepse kopertinat e saj janë të menduara për të ofruar diçka të re dhe koherente, dhe jo të ofruara për para apo për të bërë ndere! Endrit, mund të kishe shkruar, “ngjajnë, por nuk janë njësoj!”. Dhe për këtë do të kishe të drejtë. E ngjashme pa fjalë kopertina, por pa fjalë ngjashmëria me fustanin dhe kapelen ngjyrë pjepër! Më akuzon se të kam kopjuar ty, me foton që ke bërë në 2014-ën. Por, në fakt po të them që për këtë rast, ti ke kopjuar foton e VOGUE UK 1992. (Fotograf: Patrick Demarchelier, Modele: Christy Turlington). Atëherë kur kjo foto është bërë (1992) ti sapo ishe lindur (1991) dhe mosha më bën të mendoj që nuk kishe prekur ende aparat me dorë! Nëse do të kisha kohë mund të dilnim edhe në foto të tjera të kopjuara pastër nga ti, por përqëndrohemi te tema! Kapelet lule nga unë janë krijuar në përshtatje perfekte me veshjet, të paraqitura në editorialin e parë për BORDO, dhe sot e kësaj dite janë ende kopje unike në të gjithë botën! Gjithë editoriali është i ngritur mbi një koncept i disa prej luleve pjesë e fragrancës “Prive” nga Enada At’Nikolla, si kapele lule; Orkide, Lule Gojë Ujku, Lule Kumbulle, Trëndafil, Lule Dele, Zambak Uji dhe Lule Qershia, – e preferuara ime! Të gjithë këto janë ekspozuar në atelie, gjatë asaj kohe, të njohura nga të gjithë vizitorët e ateliesë. Tre prej tyre janë njohur gjerësisht. Ato janë kopje unike, dhe ti Endrit, e di sesa më je lutur për t’i marrë dhe fotografuar!!! Edhe diçka! Zyrat juridike operojnë edhe pranë bizneseve tona! Faleminderit për kohën”, ka shkruar Enada At Nikolla.
Nga ana tjetër, nuk ka munguar sot as reagimi i Bora Kokëdhimës. Ajo është mjaftuar me një fjali, duke i quajtur qesharakë palën kundërshtare të këtij debati. “Jeni qesharakë dhe unë ju mëshiroj! Faleminderit”, ka shkruar ajo. Me ç’kuptohet, ky debat nuk do të mbetet vetëm në faqet e rrjeteve sociale, por çështja do të shkojë deri në gjykatë.