Partnerja e Erik Lloshit, Romina Sabliç, ka folur për herë të parë për momentin kur këngëtari vendosi të hynte në “Big Brother VIP Albania”. Ajo pranoi se vendimi i papritur krijoi një distancë mes tyre, duke zbuluar një anë më njerëzore të historisë së një çifti që zakonisht shfaqet larg dramës mediatike.
Sabliç tregoi se reagimi i saj i parë ishte emocional dhe i drejtpërdrejtë:
“Mua më erdhi shumë inat, sepse unë dua që çdo vendim i rëndësishëm të diskutohet më parë. I thashë se nuk isha dakord dhe ai më tha: ‘Si do bëhet? Do ndahemi i thashë’”. Ajo shtoi se vendimi i firmosur pa një bisedë paraprake i çoi në një periudhë heshtjeje, duke pranuar se “ndejtëm dy javë pa folur”, një moment që, sipas saj, nxori në pah tensionin mes karrierës dhe jetës private.
Në rrëfim, gruaja e artistit shpjegoi edhe arsyet më të thella të kundërshtimit, dashuria për familjen dhe dëshira për ta mbajtur jetën personale larg spektaklit, por edhe njohja e karakterit të Erikut. “Duke njohur temperamentin e tij që është pak impulsiv dhe shumë i drejtë, në një lojë ku përdoret çdo kartë e mundshme, përfshirë familjen dhe jetën personale, nuk ishte e lehtë për ta përqafuar këtë vendim,” tha ajo, duke nënvizuar konfliktin klasik mes autenticitetit dhe strategjisë televizive.
Veç të tjerash, bashkëshortja e këngëtarit pranoi se e dinte që Erik nuk do ta luante lojën “lojë tamam”, duke lënë të kuptohet se integriteti i tij mund të jetë njëkohësisht forca dhe sfida më e madhe.








