Ata që mezi presin të premten t’ia mbathin apo ata që mezi presin të flenë deri në 10? Udhëtime laps e letër apo “të dalë ku të dalë?”… Plazhi më “in” i jugut apo një qoshkë e fshehur për qejf të shpirtit? Bileta që të çojnë larg apo salloni i shtëpisë para tv? Edhe kështu, edhe ashtu. Sepse fundjavat e verës kanë tjetër shije. Zbuloni sot fundjavën verore të Isida Mollaymerit…
Cili është mendimi i parë që të sjell e premtja verore?
⁃ ‘Run Forrest’… më kujton gjithmonë këtë filmin, dmth, mbathja vrapo. Unë jam shigjetar dhe si një e tillë vdes të udhëtoj.
A të duket sikur fundjavave të verës gjithë Instagrami ikën në plazh kurse gjithë bota është në shtëpi?
⁃ Asnjëherë jeta nuk është like në ‘Instagram’. Për Isidën është 7% e asaj që shihet aty. Instagrami është fiks marketingu: shite sapunin për djath. Megjithatë mua më ka prekur shumë lufta që po ndodh tani dhe më shumë këtë kohë në Instagram kam ndjekur historitë e Afganëve. Do doja shumë që minimalisht dhe ata të kishin një fundjavë të qetë. Do kisha dhënë shumë nga fundjavat e mia vetëm të mos shihja e lexoja këto histori.
A është opsion për fundjavën tënde: “Zgjohu në 10, rri në divan fli prapë e mos dil nga shtëpia”?
⁃ Joo… unë jam hiperaktive, kurrësesi s’do zgjohesha në 10 të flija dhe të zgjohesha prap. Jam një vajzë mëngjesi dhe më pëlqen ta shfrytëzoj ditën në maksimum.
Plazh larg syve të botës apo në rreshtin e parë të resortit më të famshëm?
⁃ Plazh larg syve të botës, është vënë re nga të gjithë që unë jugun e frekuentoj më shumë në dimer se në verë. Dhe kur shkoj në verë shkoj në vende që s’ka njerëz. Më pëlqen të shijoj gjërat larg syve të njerëzve.
Fundjava më e bukur e jetës tënde që të del edhe në ëndërr?
⁃ Ditëlindja e një shoqes time të ngushtë dhe dasma e shoqes tjetër të ngushtë. Jam kënaqur aq sa s’kam fjalë mjaftueshëm të bukura sa ta shpreh lumturinë që kam përjetuar bashkë me to. Faleminderit Zotit që më ka bekuar me miq të vërtetë.
Po fundjava apo udhëtimi që do doje ta harroje?
⁃ S’kam fundjavë që dua ta harroj, ndoshta ndonjë episod në punë. Po fundjavat që udhëtoj janë gjithmonë shumë të bukura. Të papritura dhe plot aventura.
Një fundjavë vere në plazh apo një dasmë të zhurmshme fisi?
⁃ Një dasmë të zhurmshme fisi. Vdes për dasma, mbledhje me familjen, njerëz që dua, valle, aheng dhe shumë dashuri.
Bën plane të gjata e të detajuara apo destinacioni vendoset të premten pasdite në çastin e fundit?
⁃ Jo… s’bëj plane të gjata, thjesht është e sigurt që do udhëtoj në fundjavë, kudo të jetë. Mal, plazh apo jashtë shtetit.
A nuk shijojnë më shumë të shtunat e të dielat pa plan?
⁃ Sigurisht, gjithçka spontane është më e bukur. Fotot pa mendje, udhetimet pa plan, dashuritë e pamenduara, planet e pa shkruara, gjithçka…
Përshkruaje me një fjalë të dielën në darkë…
⁃ Paqe…/revistawho.com