Nga Rudina Laka/ “Nuk bëj dasmë, janë shpenzime të kota”. Kjo ka qenë motoja ime e panegociueshme, lidhur me dasmën dhe martesën. Por kjo përgjigje kishte diçka që qëndronte larg të vërtetës absolute, fustanin e bardhë. Do të gënjeja nëse do thoja se nuk dua ta shoh veten të veshur nuse, qoftë edhe për t’ja dhuruar prindërve të mi këtë kënaqësi. Por sërish është shumë larg planeve të mia konkrete.
Dje ishte dita kur subkoshienca fitoi mbi koshiencën rrenacake. Vajza të veshura bukur, vende ku mund të bëje fotografi dhe të ndiheshe e rëndësishme qoftë edhe një moment, një ambient i dekoruar si në përralla dhe i kuruar deri në detaj. Deri këtu shijova gjithçka me koshiencën që më shoqëronte e pashqetësuar, por sërish mendoja se dasma nuk bën për mua.
Një zë u dëgjua, u ftuam të hynim brenda, sfilata po fillonte. Shkëlqim, bardhësi dhe jo vetëm. Gura, pupla, materiale të qendisura që derdheshin mrekullisht bukur mbi trupin e vajzave që i mbanin veshur.
Erdhi radha e kukullave, vajzat e vogla që parakalonin të veshura me fustanet që i tregonin si princeshat e përrallave. Sërish radha e modeleve. Me muzikën në sfond dhe ecjen gjithë vetëbesim, ato dukeshin si diva brenda asaj mrekullie që mbanin veshur. Mbaj mend çdo sekondë të ecjes së një prej modeleve që shenoi fitoren e subkoshiencës time “budallaqe”.
Një fustan i bardhë që tregonte pjesën e sipërme të bustit të dukej fine, belin e hollë ndërkohë që pjesa e poshtme derdhej aq lehtë sa nuk e pengonte aspak modelen të ecte e lumtur dhe e qeshur mbi takat e larta. Parakalimi përfundoi, doja ta shihja sërish, ishte një mrekulli. Po unë si do të dukesha e veshur me atë fustan? Do të merrja nurin e princeshës qoftë edhe për një natë? Po sytë e babait tim kur të më shihte të veshur nuse? Sërish subkoshienca ime “budallaqe” po ngrinte kryet.
Në fund u zgjova nga magjia, dëgjova duartrokitjet për atë që më bindi mua të martohem dhe të dashuroj fustanin e bardhë. Alketa përshendeti të ftuarit dhe u largua pa kuptuar se një kokëfortë u zbut dhe një baba do të jetë i lumtur shumë shpejt./revistawho.com