Në mesin e gjithë shkëlqimit të mbrëmjes më të madhe të kinemasë botërore, një detaj i vogël arriti të rrëmbejë vëmendjen globale. Gjatë ceremonisë së Oscars 2026, aktorja Zendaya u shfaq në skenë për të prezantuar çmimin për Regjinë më të Mirë për regjisorin Paul Thomas Anderson dhe filmin “One Battle After Another”. E veshur me një fustan të gjatë ngjyrë kafe me një shpatull të zbuluar dhe bizhuteri të ndritshme, ylli i filmave të Spider-Man dukej si gjithmonë elegante. Por ishte një aksesor i vetëm që bëri që sytë e publikut dhe kamerave të ndaleshin, një unazë që shumëkush e interpretoi menjëherë si një simbol të mundshëm martese.
Fotot nga tapeti i kuq dhe nga momenti i saj në skenë u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke ndezur një valë spekulimesh për marrëdhënien e saj me aktorin britanik Tom Holland. Fansat filluan të analizojnë çdo detaj të paraqitjes së saj, nga gishti ku ishte vendosur unaza deri te dizajni, duke ngritur pyetjen që tashmë po qarkullon në gjithë internetin. A mund të jetë martuar fshehurazi një nga çiftet më të dashura të Hollywood-it?
Megjithatë, gjatë ceremonisë nuk erdhi asnjë konfirmim zyrtar. Stilisti i saj prej vitesh, Law Roach, i pyetur nga media për këtë çështje, e shmangu përgjigjen me humor, duke thënë se ishte më shumë i përqendruar tek “këpucët e reja të Chanel-it”, pa dhënë asnjë detaj për unazën. Një reagim që vetëm sa e shtoi edhe më shumë misterin rreth këtij momenti.
Thashethemet për një martesë të mundshme mes Zendaya-s dhe Holland kanë qarkulluar prej kohësh në Hollywood, por paraqitja e saj në Oscars duket se i ka rikthyer ato në qendër të vëmendjes globale. Derisa vetë aktorët të vendosin të flasin, një gjë është e sigurt, një unazë e vetme mjaftoi për të ndezur imagjinatën e publikut dhe për ta kthyer një moment të thjeshtë në një nga historitë më të komentuara të sezonit të çmimeve.








