Mehdi Malkaj, aktori që për dekada ka mishëruar në skenë dhe ekran figurën e shqiptarit të përvuajtur, këtë herë u shfaq pa role dhe pa maska. Në podcastin e Grida Dumës, ai foli jo si artist, por si baba, duke ndarë publikisht një nga betejat më të vështira të jetës së tij: përballjen e djalit me varësinë nga droga.
“Gjënë time më të bukur dhe më të lumtur të kësaj kohe e kam momentin kur u vërtetua që u fitua një betejë nga djali”, tha **Mehdi Malkaj**, duke e vendosur këtë fitore mbi çdo sukses personal apo profesional. Një betejë që kishte nisur herët, kur djali ishte vetëm 15 vjeç.
“Adoleshentët bien në dashuri me atë që shohin, jo me atë që është”, shprehet ai, duke përshkruar një moshë ku frika, mosdija dhe pafuqia prindërore ecin paralelisht.
Pa dramatizim dhe pa viktimizim, Malkaj e quajti varësinë një sëmundje që godet jo vetëm individin, por gjithë familjen. Ai foli për përpjekjet për ta mbajtur djalin pranë, jo me autoritet të verbër, por me një prani që nuk dorëzohet kurrë. Kishte momente kur gjithçka dukej e humbur dhe çaste kur një shenjë e vogël shprese mjaftonte për të vazhduar.
Një rol vendimtar, siç rrëfeu vetë, pati dashuria e motrës, e cila u kthye në një shtyllë të fortë për të vëllanë. “Ai tani është gjithë jetë. Ka sjellë dritë, gëzim, hare në shtëpi,” tha aktori, duke kujtuar edhe pushimet e para familjare pas shumë vitesh, me djalin në timon, serioz dhe korrekt.
Në fund, mesazhi i tij ishte i drejtpërdrejtë dhe pa ekuivoke: droga nuk është turp për t’u fshehur. “Mos mallkoni kurrë ‘u paça fëmijët me drogë’. Është luftë e madhe, shumë e madhe”. Një thirrje për ndershmëri, komunikim dhe vigjilencë prindërore.







