Besimtarët myslimanë do të mblidhen të premten mëngjes për të festuar Kurban Bajramin, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit islam. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) ka njoftuar se falja e namazit do të zhvillohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, më 6 qershor 2025.
Në një deklaratë KMSH njofton:
“Për të gjithë besimtarët Kurban Bajrami do të falet ditën e premte, më datë 6 Qershor 2025, në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, Tiranë.”
Programi i ceremonisë nis që në orët e para të mëngjesit, në ora 05:45, dhe do të përfshijë momente të ndryshme fetare dhe përshëndetëse, përpara faljes zyrtare që do të drejtohet nga kreu i KMSH-së, H. Bujar Spahiu.
Sipas njoftimit:
“05:45 – Hapja e programit, z. Ejup Lila
05:50 – Lexim Kurani, Hafiz Enes Hyka
05:55 – Fjala përshëndetëse e Kryetarit të KMSH-së, H. Bujar Spahiu
06:05 – Ligjëratë nga nënkryetari i KMSH-së, z. Taulant Bica
06:15 – Falja e namazit të Bajramit, prin Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu
06:20 – Hutbeja e Bajramit nga imami i xhamisë ‘Et’hem Bej’, z. Elton Karaj”
Pas faljes, siç është zakon çdo vit, do të mbahen edhe pritjet tradicionale në selinë e KMSH-së, të hapura për të gjithë qytetarët.
“Gjithashtu ju bëjmë me dije se pritjet tradicionale me rastin e festës së Kurban Bajramit do të zhvillohen në selinë e KMSH-së, nga ora 09:00 deri në orën 12:00”, thekson më tej njoftimi.
Komuniteti Mysliman ka bashkëngjitur programin e plotë të faljes si dhe planimetrinë për ndarjen e hapësirës sipas gjinive. Ceremonia pritet të mbledhë mijëra besimtarë nga Tirana dhe më gjerë.
Në përfundim, KMSH ka një urim për të gjithë:
“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ju uron të gjithë shqiptarëve, Gëzuar Kurban Bajramin.”