Në një nga momentet më të sinqerta të këtij edicioni të “Big Brother VIP 5”, banorët përballen me një pyetje që zakonisht i përket publikut: kush e meriton fitoren? Por përgjigjet e tyre nuk janë thjesht zgjedhje, janë deklarata që zbulojnë raportet reale, peshën e secilit dhe mënyrën si lexohet loja nga brenda shtëpisë.
Një bosht i fortë mbështetjeje formohet rreth Stenaldos. Nicol dhe Mali e shohin atë si fitues, ndërsa vetë Stenaldo e kthen zgjedhjen drejt Malit, duke krijuar një trekëndësh që flet për respekt dhe ndikim të ndërsjellë. Paralelisht, Shëndriti zgjedh Selin për kontributin e saj që nga dita e parë, por Selin e përmbys pritshmërinë. Ajo deklaron se Rogerti nuk duhet të fitojë kurrë dhe vendos në qendër Brikenën si më të merituarën për finalen. Ndërkohë, Brikena dhe Mateo zgjedhin njëri-tjetrin, duke vulosur një aleancë që ka rezistuar deri në këtë fazë.
Në një tjetër linjë loje, Miri dhe Juela pozicionohen qartë në krah të Rogertit, duke e konsideruar si banorin me ndikimin më të madh në shtëpi. Por pikërisht këtu vjen kthesa që ndryshon balancën, pasi Rogerti zgjedh Mirin dhe shprehet fjalë për fjalë:
“Emri i vetëm që mund të fitojë Big-un është vetëm Miri. Pse? Për arsye se ai nuk ka ofenduar askënd këtu. Ka pasur gjithmonë një tonalitet shumë të qetë dhe një njeri që ka ditur të jetë fleksibël me lojtarë si puna ime dhe e Juelës”. Një deklaratë që e zhvendos fokusin nga loja agresive tek forca e qetësisë.
Panoramë që nuk prodhon një fitues të vetëm, por disa të vërteta paralele. Disa votojnë ndikimin, disa karakterin, disa besnikërinë. Dhe ndërsa finalja afrohet, dilema bëhet gjithnjë e më e qartë, do të fitojë ai që ka bërë më shumë zhurmë në lojë apo ai që, në heshtje, ka fituar respektin e të gjithëve?








