Në botën e reality-t, loja zhvillohet para kamerave, por pasojat jetohen larg tyre. Për herë të parë, bashkëshortja e Rogertit ka folur publikisht për rrugëtimin e tij në Big Brother VIP Albania, duke zbuluar anën e padukshme të një eksperience që shpesh shihet vetëm si spektakël. Në një intervistë për Top Albania Radio, ajo rrëfen emocionet, pasiguritë dhe presionin e komenteve që vijnë nga rrjetet sociale, ndërsa partneri i saj është pjesë e lojës.
“Komentet e tipit ‘kush është ajo grua që e duron?’ më kanë ndikuar shumë. Rogerti është në një lojë, është në Big Brother, ndërkohë që njerëzit jashtë nuk po kursehen aspak në komentet e tyre,” shprehet ajo, duke nënvizuar hendekun mes narrativës televizive dhe realitetit familjar. Ajo pranon se zgjedhjet strategjike në lojë shpesh e vendosin publikun përballë figurave që nuk janë gjithmonë të lehta për t’u përqafuar:
“Ndonjëherë më vjen mirë që Rogerti ka zgjedhur të jetë ky modeli në Big Brother. Të jesh modeli i mirë është më e thjeshtë. Por të jesh ‘i keqi’ i domosdoshëm është më e vështirë për t’u pranuar nga publiku.” Një reflektim që e vendos rolin e protagonistit përtej etiketimeve të shpejta.
Megjithatë, mes kritikës dhe empatisë, ajo lë një mesazh që tingëllon si deklaratë dashurie dhe realizmi njëkohësisht:
“E vërteta shpesh është e hidhur, por godet. Unë mendoj se Rogerti ka thënë disa të vërteta aty brenda. Me mënyrën si i ka thënë, ndoshta nuk jemi gjithmonë dakord, por kjo është pjesë e lojës.” Një kujtesë se Big Brother Vip mund të jetë lojë për publikun, por për ata që presin jashtë, është gjithmonë diçka shumë më personale.








