Drejtori i ri i Radio Televizionit Publik Shqiptar (RTSH) është zgjedhur Enkelejd Joti. Ai u votua në fshehtësi duke marrë tre të pestat e votave nga 9 anëtarët e këshillit drejtues të këtij televizioni.
Joti do të pasojë në këtë detyrë ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi, i cili u arrestua nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nën akuzën e shpërdorimit të detyrës për shkak të pabarazisë në tendera.
Enkelejd Joti siguroi shumicën e cilësuar të votave nga të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues që kryen këtë të hënë procedurën statutore të zgjedhjes së drejtuesit të ri të institucionit mediatik më të madh të vendit.
Vendimi i Këshillit Drejtues erdhi pasi më herët u dëgjuan në seancë publike katër pretendentët – Enkelejd Joti, Iris Luarasi, Mimoza Haxhiaj dhe Laureta Roshi, të cilët kishin hedhur kandidaturën për këtë detyrë publike.
Procedura e zgjedhjes së drejtorit të ri të Përgjithshëm u monitorua nga komisioni Ad-Hoc, i ngritur për këtë qëllim, duke u respektuar të gjithë procedurat që parashikon statuti i Radio Televizionit Publik.
Joti ka mbajtur postin e drejtorit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, teksa ky është një rikthim në fushën e medias për të. Ai ka mbajtur poste drejtuese në televizionin “Top Channel” më parë.
Për 12 vjet, nga 2003 deri në 2015, ai mbajti postin e drejtorit të përgjithshëm të Top Media. Viti 2015 përkoi edhe me dorëheqjen e tij.
Studimet i ka kryer në fushën e ekonomi-financës. Pra, kandidatura e tij, është e bazuar në një eksperiencë shumëvjeçare menaxheriale.
Joti ka qenë në një periudhë edhe nëndrejtor i RTSH-së. Ndërsa tashmë, do të jetë në drejtim të institucionit.