Pas katër raundesh votimi dhe pritjes me emocione në sheshin e Shën Pjetrit, tymi i bardhë nga Kapela Sistine shënoi një moment historik për Kishën Katolike: për herë të parë në histori, një amerikan u zgjodh Papë. Kardinalët e konklavës vendosën t’i besonin drejtimin e Selisë së Shenjtë Robert Francis Prevost, i cili mori emrin Leoni XIV.
Me këtë zgjedhje, Prevost bëhet Papa i 267-të i Kishës Katolike dhe i pari që vjen nga Amerika e Veriut.
Robert Francis Prevost ka lindur më 14 shtator 1955 në Çikago, SHBA, në një familje me rrënjë të përziera – babai me origjinë franceze-kanadeze dhe nëna me prejardhje spanjolle. Fillimisht studioi matematikë në Universitetin Villanova dhe më pas teologji në Catholic Theological Union në Çikago. Në vitin 1977 iu bashkua Urdhrit të Shën Augustinit dhe u shugurua prift pesë vite më vonë, në 1982.
Misioni i tij ndërkombëtar nisi në Peru në vitin 1985, ku shërbeu fillimisht si kancelar i prelaturës së Chulucanas dhe më pas si drejtues i seminarit augustinian në Trujillo. Puna e tij e përkushtuar në këtë vend u shpërblye në vitin 2015 kur iu dha shtetësia peruane.
Ndër vite, Prevost mbajti poste të rëndësishme brenda Kishës. Nga 2001 deri më 2013 ishte prior i përgjithshëm i Urdhrit të Shën Augustinit. Më pas u emërua administrator apostolik i dioqezës së Chiclayo dhe në 2015 u bë ipeshkëv i saj. Në vitin 2023, Papa Françesku e emëroi si prefekt të Dikasterit për Ipeshkvijtë dhe president të Komisionit Papnor për Amerikën Latine.
Pas ndarjes nga jeta të Papës Françesku më 21 prill 2025, konklava me 133 kardinalë u mblodh në Vatikan. Më 8 maj, në raundin e dytë të votimit, ata zgjodhën Robert Francis Prevost si Papën e ri. Ai mori emrin Leoni XIV, duke hyrë në histori jo vetëm si kreu i ri i Kishës, por edhe si simbol i një kapitulli të ri për besimtarët katolikë në mbarë botën.