Pjesa e parë e ditës do të dominohet nga kthjellime dhe vranësira të lehta në të gjithë vendin, më të theksuara vranësirat do të paraqiten në zonat malore verilindore. Pjesa e dytë e ditës, do të vijojë me mot të kthjellët në bregdet dhe zonat e ulëta duke lënë me kthjellime dhe vranësira të shpeshta zonat malore. Parashikohet që edhe gjatë natës të mbetemi në të njëjtat kushte atmosferike.
Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit nuk do të pësojnë ndryshime duke ruajtur vlerat e tyre konstante. Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi 30 km/h nga drejtimi veriperëndimor, kjo do të bëjë që në Adriatik dhe Jon të gjenerohet dallgëzim jo më shumë se 2 ballë.
Europa
Zhvillimi i një qendre të fuqishme ciklonare në veriperëndim të kontinentit me ndikim deri në qendër do të kushtëzojë në këto rajone mot me vranësira dhe shira të dendur, më problematike situata do të paraqitet në Gjermani ku shirat do të jenë intensive. Po ashtu, rrebeshe shiu dhe stuhi të forta të erës do të kenë ishujt britanike.
Ndërsa, moti i kthjellët dhe temperaturat e larta dominojnë pellgun e Mesdheut, vendet e Ballkanit si edhe Europën Lindore./noa.al







