Në universin Kardashian, romanca rrallëherë është thjesht romancë. Sipas raportimeve që po qarkullojnë në mediat amerikane, Kylie Jenner dhe Timothée Chalamet thuhet se kanë firmosur një kontratë martese me vlerë marramendëse 100 milionë dollarë. Një marrëveshje që, sipas pretendimeve virale, do të kulmonte me një ceremoni në fund të vitit 2026 dhe do të shndërrohej në një event televiziv për “The Kardashians”.
Burime të cituara në mediat rozë pretendojnë se plani synon të rrisë audiencën e reality show-t dhe të kthejë martesën në një spektakël global. Thuhet madje se Timothée do të përfitonte një përqindje nga të ardhurat e speciales televizive dhe bashkëpunime me markat e Kylie-t. Megjithatë, këto mbeten pretendime të pakonfirmuara zyrtarisht nga çifti.
Paralelisht me dimensionin “biznes”, një tjetër thashethem po qarkullon, dëshira për të zgjeruar familjen. “Ata tashmë jetojnë bashkë dhe kanë folur hapur për të pasur fëmijë. Tim dëshiron shumë të bëhet baba, ndërsa Kylie është e bindur se ai do të jetë një baba i shkëlqyer,” citohet të ketë thënë një burim pranë tyre. Sipas po të njëjtit burim, “njerëzit pranë tyre nuk do të habiteshin nëse shumë shpejt do të ketë një njoftim për shtatzëni”.
Gjithsesi, historia e Kylie Jenner dhe Timothée Chalamet lë hapësirë për dy lexime. Një lidhje që po konsolidohet drejt altarit ose një kapitull i ri i fuqisë së familjes më të famshme të reality-t për ta kthyer jetën private në ngjarje globale. Për momentin, gjithçka mbetet mes spekulimit dhe magjepsjes.







