Pas përfundimit të edicionit të katërt të “Big Brother Vip Albania”, ku u rendit i treti, aktori Laert Vasili ka folur për herë të parë mbi përvojën e tij në shtëpinë më të famshme të momentit. Në një intervistë në “Shqipëria Live”, Vasili rrëfeu emocionet pas daljes dhe pritjen që i është bërë nga publiku.
“Kështu e kisha parashikuar edhe unë finalen. Më vjen mirë që eci në rrugë dhe ‘sagapo Laerti’ është bërë lajtmotivi i ri, falë nënës sime, të gjithë më shtrëngojnë dorën me dashamirësi”, u shpreh ai me emocione.
Por përtej mbështetjes që ka marrë, Vasili tregoi se eksperienca në BBV i ka lënë një shije të hidhur. Ai deklaroi se imazhi i tij është dëmtuar rëndë dhe se ofendimet e shumta që ka përjetuar mund të përbëjnë edhe vepra penale.
“Ka pasur aq shumë ofendime sa mund të shkojnë në ndjekje penale, atë do e mendojnë përfaqësuesit e mi ligjorë. Jam ndjerë i përdhosur, i përbaltur, është prishur imazhi im sidomos ai i profesionit. Jemi në lojë, por nuk je me nivelin tënd në lojë. Gjendja është e rënduar, shumë e rënduar. Në asnjë mënyrë nuk do ta ribëja si eksperiencë, kurrë”, theksoi aktori.
Sa i përket fituesit të edicionit, Laerti vlerësoi arritjen, por nuk i kurseu kritikat.
“Ai e meritoi në mënyrë absolute fitoren, shkatërroi gjithë shtëpinë, çoi një vajzë në gjendje të rënduar në shtëpi, ai bëri gjithçka. Unë jam tjetër njeri. Di që është futur nja tre katër herë në dhomën e rrëfimit për të regjistruar një dy-tre këngë, nuk regjistroi asgjë, patëm për të shkruar një tekst, nuk shkroi asnjë varg, por ja që publiku paska këtë preferencë. Një analfabet funksional, ndaj është më e bukura ‘notën e mirë’”, tha Vasili, duke hedhur thumbime të drejtpërdrejta.
Ndërkohë, lidhja e tij me Valbonën – një tjetër banore e shtëpisë – duket se ka marrë fund.
“Asnjë marrëdhënie nuk ka sot me Valbonën. Ishte një njohje që nisi me vendim të saj, kaloi në pëlqim. Luhatjet e humorit bënë që çdo dy tre ditë të thoshte ‘sukses në jetë’. Përdori fjalë të rënda, e kam falur, nuk pranoi darkën, e kam falur, doja të sqaroheshim tha jo… a do ta njoh jashtë? Në kishë shkojnë njerëzit dhe fal Perëndia pa fund, njeriu ka një limit”, u shpreh Vasili, duke lënë të kuptohet se raportet mes tyre janë mbyllur përfundimisht.








