Hollywood-i është në zi. Robert Redford, një nga aktorët më të dashur dhe ikonat e vërteta të kinemasë botërore, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Publicisti i tij ka bërë të ditur se aktori u nda nga jeta në gjumë, në shtëpinë e tij në Utah.
Redford u ngjit në majat e famës që në vitet ’60-’70, duke i dhuruar publikut role të paharrueshme në filma si Butch Cassidy and the Sundance Kid, The Sting, The Way We Were dhe All the President’s Men. Me sharmin dhe talentin e tij unik, ai u kthye në një figurë të pazëvendësueshme të ekranit.
Por Redford nuk u ndal vetëm te aktrimi. Në vitin 1980 ai debutoi si regjisor me filmin Ordinary People, i cili u vlerësua me katër çmime Oscar, mes tyre edhe për regjisorin më të mirë. Vetëm një vit më pas, themeloi Sundance Film Festival, i cili më vonë do të bëhej një nga platforma më të rëndësishme për kinemanë e pavarur.
Aktori ishte gjithashtu një zë i fortë në mbrojtje të mjedisit dhe çështjeve sociale, duke përdorur ndikimin e tij për të sjellë ndryshime.
Me ndarjen nga jeta të Robert Redford, bota e filmit humbi jo vetëm një yll të madh, por edhe një pionier që ndryshoi historinë e kinemasë. Trashëgimia e tij artistike do të mbetet e pavdekshme.









