Ta quajmë 8 Marsin ditën e grave të forta, të brishta, të ëmbla, të bukura, të famshme, të lira, të qeshura…? Ta quajmë ditën e supergrave apo të gruas që s’do fare të jetë e tillë? 8 Marsi i të gjitha këtyre bashkë apo i asnjërës prej tyre? Ne nuk duam t’i fusim gratë e vajzat tona nëpër kallëpe, heroina qofshin apo të papërsosura. Ne duam vetëm të festojmë për gruan dhe të kemi një simbol të thjeshtë të numrit 8, që u takon të gjithave atyre që na shkëlqejnë në sy, por ne kemi përzgjedhur 8, që këtë vit kanë shkëlqyer në sytë e të gjithëve. 8 për 8 fusha të ndryshme, 8 gra e vajza që do t’i zbulojmë një nga një gjatë ditës së sotme…
Edhe për ata që nuk kanë asnjë lidhje me letërsinë apo botën e librave, gjatë këtij viti emri i Lea Ypit u ka dalë përpara: autorja shqiptare e librit “Të lirë” ia ka dalë mbanë që të renditet mes librave të rekomanduar nga organet më prestigjioze që bëjnë rekomandime librash, ndërsa libri i saj, pas botimit në anglisht dhe në shqip, po përkthehet dhe botohet në shumë gjuhë të tjera.
Pa diskutim Lea Ypi është e vetmja autore shqiptare që pas Ismail Kadaresë ia ka dalë mbanë të bëjë për vete lexuesin botëror, të botohet nga shtëpitë botuese më të mira dhe të jetë e rekomanduar si “libri i vitit” nga gazetat më të mëdha. Botuar në shqip nga “Dudaj”, “Të lirë, të rritesh në fund të historisë” është një vepër autobiografike që rrëfen tranzicionin e Shqipërisë, tranzicionin politik të një shoqërie që kalon nga fortesa komuniste në një vend të hapur, gjithçka e parë me sytë e një vajze të vogël.
Libri ka bërë mjaft bujë dhe në Tiranë dhe është mirëpritur nga lexuesit si një dëshmi e kohës për ata që e kanë jetuar por dhe si një kronikë e një të shkuare të afërt, për ata që kanë lindur pas viteve ’90. Shkruar me një gjuhë të thjeshtë, e aftë për të përshkruar situata dramatike me elementë komikë, libri i Lea Ypit po zë vendin e një shkrimtareje që kishte munguar në letërsinë shqiptare. Sepse askush si ajo nuk është futur të prekë historinë e viteve ’90 dhe të nxjerrë një vepër pa patetizëm, pa heroizma të kota, pa dramatizime e vajtime ballkanase, por që t’i ketë të gjitha këto brenda e të thëna aq thjeshte që lexuesi të mund t’i përjetojë fuqishëm. Këtë aftësi e kanë vetëm shkrimtarët e mëdhenj. Si një Kadare në “Kronikë në gur” dhe Lea Ypi ka sjellë një kronikë tranzicioni shqiptar, rrëfyer me pafajësinë e një fëmije. Dhe jo më kot bota e ka pritur si dikur Kadarenë./revistawho.com