Jeta e influenceres Ashley St. Clair, e cila në shkurt bëri publike se kishte sjellë në jetë fshehurazi një djalë me Elon Musk, duket se po shkon nga një krizë në tjetrën. 26-vjeçarja ka rrëfyer se tashmë përballet me probleme serioze financiare dhe rrezik dëbimi nga banesa, ndërkohë që beteja e saj ligjore me miliarderin e teknologjisë sa vjen e bëhet më e ndërlikuar.
Në episodin e parë të podcast-it të saj të ri Bad Advice, të ndarë në rrjetin social X (po në pronësi të Musk), St. Clair foli hapur për situatën e saj:
“Pas një viti vendimesh të pakujdesshme profesionale, zgjedhjesh të dyshimta në jetë dhe një profili bosh në LinkedIn, vendosa të filloj këtë podcast. Për më tepër, po më nxjerrin nga banesa,” – u shpreh ajo në një video që më pas u fshi.
Në shkurt, ajo kishte tronditur publikun me lajmin e fshehur të lindjes. “Pesë muaj më parë solla në jetë një fëmijë. Elon Musk është babai. Nuk e kam zbuluar më parë për të mbrojtur privatësinë dhe sigurinë e fëmijës sonë, por ditët e fundit u bë e qartë se mediat tabloide do të përpiqen ta bëjnë publike” – shkroi ajo në X. Vetëm një ditë më vonë, ajo e akuzoi publikisht miliarderin për heshtjen e tij: “Elon, po përpiqem të komunikojmë prej disa ditësh, por ti nuk përgjigjesh.”
St. Clair ka deklaruar se Musk fillimisht i kishte ulur pagesën e ushqimit për fëmijë pasi ajo e paditi, dhe madje i kishte ofruar 15 milionë dollarë për të mbajtur sekret ekzistencën e të birit. Nga ana tjetër, Musk nuk ka pranuar kurrë të jetë babai, edhe pse në mars ai shkroi: “Nuk e di nëse fëmija është im apo jo, por nuk jam kundër që kjo të bëhet publike. Nuk ka nevojë për një vendim gjyqësor.” Ai shtoi gjithashtu se influencerja kishte marrë tashmë 25 milionë dollarë dhe se vijonte t’i dërgonte 500,000 dollarë në vit.
Rikujtojmë se Elon Musk është baba i 14 fëmijëve me tre gra të ndryshme – dhe historia e St. Clair duket se është vetëm një tjetër kapitull i turbullt në sagën e jetës së tij personale.








