Projekti kinematografik që bashkon për herë të parë në ekran të madh Kiara Tito dhe Luiz Ejlli po mban vëmendjen e publikut të fiksuar, teksa çdo ditë dalin në dritë detaje të reja rreth filmit “Loja e fundit”, i cili pritet të shfaqet në muajin shkurt.
Sipas informacioneve të siguruara nga burime pranë produksionit, dy personazhet kryesorë që interpretohen nga çifti i njohur mbajnë emra skenikë që nuk kalojnë pa u vënë re. Në film, Luizi shfaqet si Luiz Belli, ndërsa Kiara interpreton rolin e Kiarës Pipo, një zgjedhje që ka ngjallur menjëherë kureshtje për shkak të paralelizmit me identitetin e tyre real.
Megjithatë, duhet theksuar se ngjarjet e filmit nuk lidhen me historinë personale të Kiarës dhe Luizit. Rrëfimi është tërësisht fiktiv dhe i ndërtuar mbi personazhe imagjinarë. Ajo që e bën historinë të ndihet kaq e besueshme është dinamika emocionale mes dy protagonistëve, si edhe kimia e tyre në ekran, që i jep filmit një ndjesi të fortë autenticiteti.
Përveç dy roleve kryesore, kasti përfshin edhe emra të njohur si Akil Varfi, Eglein Laknori, Besnik Çinari, Drande Xhaj dhe Zhani Ciko, duke krijuar një përbërje aktorësh që pritet të sjellë interpretime të spikatura.
“Loja e fundit” mban firmën e producentes dhe skenaristes Klaudia Brahimaj, ndërsa regjia është besuar Bjordi Mezinis, një bashkëpunim që publiku e njeh tashmë nga projekte të suksesshme si Luli & Goni Lemes dhe seriali HOT.
Me afrimin e premierës, filmi po pozicionohet si një nga prodhimet më të përfolura të fillimit të vitit, ndërsa publiku mbetet në pritje të surprizave të tjera që pritet të shoqërojnë këtë histori.








