Marina dhe Luana Vjollca rrëfyen këtë mbrëmje në “Ëndërrtjerrësit” eksperiencën e tyre bashkë në skenë.
Në shumicën prej emisioneve apo spektakleve në Top Channel ato ishin bashkë, edhe pse karaktere të ndryshëm.
“Unë çapkëne dhe Marina vajza më e mirë në botë, panë që kimia ishte fantastike, s’kishte si të ndodhte ndryshe se ne bashkë kemi bërë çdo gjë”, tha Luana.
“Me Luanën kemi qenë në çerdhe, kopsht, universitet bashkë. Ne aty në ‘E Diell’ ishim dy prezantuese që kishim dy skuadra. Patëm një periudhë pak vjeçare shumë të vrullshme”, tha Marina.
Por si nisi karriera e tyre në Top Channel? Të dyja nisën si velina të Fiks Fare, më pas Marina u bë prezantuese në Select dhe këtë eksperiencë e kujton me mall dhe pranon se e ka mësuar shumë. “Ne po edukonim brezin e ri me muzikë të mirë”, u shpreh Marina.
Ajo tregoi edhe për një nga situatat më të bukura kur shkoi në “Top Fest” me motor dhe mamaja e saj ka mbetur e shokuar, ndërsa e bija i jepte motorit si profesioniste.
Marina tregoi se nuk e ka mësuar si t’i jepte motorit nga shoqëria, por nga një instruktor.
“Kam shkuar në autoshkollë ku i kam thënë keni instruktorë për motorin dhe të gjithë kanë filluar të qeshin. Më pas me një instruktor kam mësuar motorin dhe me shoqërinë e kam perfeksionuar”, u shpreh Marina.
Pas kësaj historie ndërhyri Luana e cila i dha kësaj historie shumë humor duke e konsideruar të çmendurën e vërtetë Marinën.
“Këtu besoj kuptohet kush është e mira dhe e keqja në të vërtetë. Domethënë kush është vërtetë e çmendura dhe kush bën si e çmendur”, shtoi ajo.
Ndërsa vetë Luana Vjollca tregoi për momentin kur doli para jurisë dhe iu kërkua të prezantonte dhe të kërcente. Por ajo tha se do t’i bënte të gjitha, të prezantonte, të sfilonte, por vetëm të kërcente jo. Luana arriti të bëhej pjesë e ‘Fiks Fare’ në rolin e velinës.
“Velina e kishte për detyrë të ngrihej të kërcente të ulej, të llastohej. Sa herë fillonte fliste Saimiri filloja të flisja unë llapa llapa llapa”, u shpreh Luana.
Në sezonin e dytë ajo tregoi se ata i vunë mikrofon duke i dhënë më shumë mundësi për të folur.
Më pas, Luanës ju besua moti, i cili erdhi për herë të parë në televizionin shqiptar në mënyrë aq inovative. Teksa sheh videot ajo komenton dhe i thotë Manushit, se në videot e transmetuara ka qenë 20 kile më pak sesa është aktualisht dhe ndryshimi është i dukshëm.
Motrat sot patën rikthimin në Top Channel, efhe pse prej kohësh nuk punojnë më aty.








