Një video e shkurtër, e filmuar gjatë mbërritjes së Presidentit Emmanuel Macron dhe bashkëshortes së tij Brigitte në Hanoi të Vietnamit, shkaktoi stuhi në internet të dielën mbrëma. Pamjet, të publikuara nga Associated Press, tregojnë një moment të pazakontë ku Brigitte duket se i shtyn fytyrën Macron-it me të dyja duart — një gjest që për shumëkënd u interpretua si “një shuplakë e lehtë”.
Reagimet në rrjete sociale ishin të menjëhershme: nga teoritë konspirative, deri te komentet e ironike dhe analizat spekulative. Presidenca franceze, në fillim, e mohoi vërtetësinë e videos, për ta pranuar më vonë si të vërtetë, por të “nxjerrë jashtë kontekstit”.
Në një deklaratë publike nga Hanoi, Macron zgjodhi të reagojë vetë dhe të sqarojë gjithçka:
“Ishim duke u ngacmuar. Ishim duke bërë shaka dhe më zuri në befasi. Tani është kthyer në një katastrofë planetare, me teori konspirative që dalin përditë,” – u shpreh ai me ironi.
Sipas presidentit, kjo video është pjesë e një vale të re dezinformimi që po qarkullon kundër Francës, në një kohë kur tensionet ndërkombëtare janë të larta. Ai përmendi edhe disa shembuj të tjerë të lajmeve të rreme:
“Në tre javët e fundit, më kanë shpallur ‘kokainoman’, pastaj më kanë treguar duke u zënë me Erdogan-in, dhe tani – burrë që mer shuplakë nga gruaja. Asgjë nga këto nuk është e vërtetë,” – tha ai.
Nga ana tjetër, një burim pranë çiftit presidencial tha për mediat se bëhet fjalë për një “ngacmim të padëmshëm në çift”. Por interneti s’fal, dhe videoja vazhdoi të përhapet si flakë në bar të thatë, sidomos në llogaritë që janë zakonisht kritike ndaj Macron-it.
Një detaj tjetër që s’iu shpëtoi komentuesve ishte refuzimi i Brigitte për të pranuar dorën e bashkëshortit ndërsa zbrisnin shkallët e avionit – një veprim që, sipas rrjetit, “vetëm e shton dramën”.
Marrëdhënia e çiftit Macron ka qenë shpesh në vëmendjen e mediave. Brigitte, 72 vjeç, ishte dikur mësuesja e dramës së Macron-it në Amiens, ndërsa ai, tashmë 47 vjeç, ishte nxënësi që u bë president. Historia e tyre është komentuar gjerësisht, si për diferencën në moshë, ashtu edhe për karakterin e pazakontë të lidhjes.
Në vitet e fundit, Brigitte ka ndërmarrë edhe hapa ligjorë për të kundërshtuar lajmet e rreme që kanë qarkulluar për identitetin e saj gjinor.
Pra, edhe pse nuk ka pasur asnjë dramë në stilin Netflix, videoja e përhapur është kthyer në një situatë të sikletshme për Elysée-n. Dhe siç duket, Macron e di mirë: në epokën e internetit, çdo gjest, i madh apo i vogël, mund të shpërthejë në një bujë ndërkombëtare.








