Gjatë ditëve të fundit, shëndeti i Madonnës kishte shqetësuar fansat, pasi këngëtarja u dërgua me urgjencë në spital pas një infeksioni bakterial. Megjithatë, artistja ikonë tani është kthyer në shtëpinë e saj pasi u lirua nga spitali.
Lajmi shpërtheu të martën se Madonna ishte shtruar në spital dhe nuk do të ishte në gjendje të përmbushte datat e turneut të saj të ardhshëm botëror të titulluar ‘Celebration’, për shkak të sëmundjes.
Megjithëse u përshkrua si një infeksion serioz bakterial nga njerëzit e afërt të Madonna-s, duket sikur ajo tani do të shërohet plotësisht.
“Ajo tani po pushon në shtëpi dhe po ndihet më mirë”, tha një burim për Rolling Stone.
Ky koment erdhi pas një tjetër deklarate të lëshuar nga menaxheri i këngëtares, Guy Oseary, në fillim të javës.
“Madonna ka kaluar disa ditë në Njësinë e Kujdesit Intensiv, por pritet një shërim i plotë”, tha ai.
“Ndërsa shëndeti i saj po përmirësohet, ajo është ende nën kujdesin mjekësor”.








