Sheila Haxhiraj ka ndarë një prej rrëfimeve më të vështira të jetës së saj në intervistën për “S’e luan topi” me Erjona Rusin, duke folur me shumë emocion për humbjen e vëllait të saj, Henri Haxhiraj. Gjatë bisedës rreth mbështetjes që ai i kishte dhënë në karrierën muzikore, artistja nuk i mbajti dot lotët.
“Gjithmonë më ka përkrahur në mënyrën e tij,” u shpreh ajo. “Më mungon çdo ditë. Mbeta pa gjysmën time, por e ndiej pranë në energjinë që më jep.”
Sheila tregoi se dhimbja është ende shumë e fortë dhe se përballja me këtë humbje nuk ka qenë e lehtë. Ajo foli për vështirësitë që, sipas saj, mund ta çojnë një person drejt vendimeve të paarsyeshme në momente të caktuara të jetës.
Duke kujtuar ditët para ngjarjes, këngëtarja tha se familja nuk kishte vënë re sinjale shqetësuese tek Henri dhe se ai nuk kishte dashur t’i ngarkonte të tjerët me problemet e veta.
Sheila theksoi se interpretimet e bëra në media për gjendjen e tij emocionale nuk kanë qenë të sakta:
“Henri nuk ka pasur depresion. Ajo që ndodhi ishte diçka e papritur. Çdo gjë tjetër që është thënë ka qenë abuzim mediatik,” deklaroi ajo.
Artistja u shpreh se, edhe pse ngjarja ka lënë shumë pikëpyetje, ajo po përpiqet të gjejë forcë te kujtimet dhe dashuria që ndante me të vëllanë.








