“Isha afër saj kur ishte e martuar”, këto ishin fjalët që skandalizuan familjen mbretërore në lidhje me dukeshën e Sussex, Meghan Markle.
Pesë vite më parë, një moment i papritur në një shkollë britanike bëri bujë në të gjithë botën. Meghan Markle, gjatë një vizite në shkollën e mesme Robert Clack në Dagenham, u përqafua nga një djalë 16-vjeçar, i cili u ngjit në skenë për t’i shprehur admirimin e tij. Ai ishte Aker Okoye, sot 21 vjeç, një student i Universitetit të Kembrixhit dhe aspirant për karrierë në aktrim.
Me një ton ironik, Aker i kërkoi falje Princit Harry për “përqafimin e gruas së tij”, duke mbrojtur gjithashtu Meghan në një intervistë për Good Morning Britain. Ai theksoi se Dukesha e Sussex ishte “më shumë se thjesht një fytyrë e bukur” dhe meritonte mbështetje mes polemikave që e rrethuan asokohe.
Sot, ndonëse Aker nuk ka ndjekur dokumentarin e Meghan në Netflix apo podcast-et e saj, ai vazhdon të shprehë admirimin për të. Ai madje u shpreh për Daily Mail se kishte filluar të ndiqte serinë Suits pas takimit me të.
Ky moment, i konsideruar fillimisht një gjest i thjeshtë adhurimi, pati një ndikim të madh në jetën e tij, duke e vendosur në qendër të vëmendjes. Dhe ndërsa ai vazhdon rrugën e tij akademike dhe profesionale, duket se kujtimi i asaj dite mbetet ende i freskët.