Aktorja e njohur Eliona Pitarka, tashmë nënë e tre vajzave, ka bërë një rrëfim të sinqertë dhe tronditës në intervistën e fundit në “Më prit të Dielën”, ku foli hapur për sfidat e mëdha që ka përjetuar gjatë shtatzënisë dhe mëmësisë.
Ajo nuk e fshehu se rruga drejt të qenit nënë nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, duke ndarë një nga momentet më të vështira të saj si nënë e re:
“Me vajzën e parë, në një moment kur vajza po qante, unë po i ndërroja pelenën. Ai po më thoshte të marrim një nga mamatë që të na ndihmojë, unë shpërtheva në të qara, po ndihesha një mama e paplotësuar sikur s’dija të bëja asgjë, dhe sikur Desi mezi gjente rastin për të ma treguar këtë gjë. I thashë, ti do të më çmendësh mua, do të më çmendësh që të më marrësh gocën dhe të largohesh. E kupton? Jo e tmerrshme, por kur e mendoj tani them si e kam menduar? Dhe në ato momente e kam menduar realisht, sikur të gjithë rreth meje donin të më bënin të ndihesha keq që unë mos ta përballoja mëmësinë dhe të më thonin ti nuk di ta mbash gocën, do ta marrim ne. Deri në këtë ekstrem kam arritur. Të vijnë mendime të frikshme, që në një gjendje normale nuk i mendon dot. Aty e kuptova që nuk jam mirë. Më kanë qëndruar shumë pranë prindërit, Desi, motra, miqtë..”
Ky rrëfim i aktorës shpalos një realitet të fshehur që shumë nëna e përjetojnë pas lindjes – ankthin, pasigurinë dhe ndjesinë e pamjaftueshmërisë. Eliona tregon se përmes mbështetjes së familjes dhe miqve arriti të kapërcejë ato mendime të frikshme dhe të vazhdojë rrugëtimin e saj si nënë.








