Spekulimet për një martesë të fshehtë mes Zendaya-s dhe Tom Holland janë rikthyer fuqishëm në qendër të vëmendjes, pasi një reagim i papritur i nënës së aktores, Claire Stoermer, ndezi rrjetet sociale. Stoermer reagoi në Instagram ndaj një videoje të stilistit të njohur të Zendaya-s, Law Roach, i cili gjatë një interviste në tapetin e kuq për Entertainment Tonight u shpreh me humor:
“Hej, njerëz, dasma ka ndodhur tashmë”, dhe vazhdoi me shaka: “E keni humbur”.
Në vend që ta mohonte apo ta konfirmonte drejtpërdrejt lajmin, nëna e aktores zgjodhi një reagim ironik. Ajo ripostoi klipin në Instagram dhe shkroi vetëm: “Po qesh…”, duke e shoqëruar me një emoji që qesh. Ky reagim i shkurtër u interpretua nga fansat si një përgjigje ndaj thashethemeve që kanë qarkulluar në javët e fundit për një martesë të mundshme të çiftit.
Thashethemet u shtuan edhe më shumë pasi Zendaya u pa së fundmi me një unazë ari në gishtin e dorës së majtë gjatë Golden Globe Awards, duke nxitur menjëherë teoritë se ceremonia mund të kishte ndodhur larg syrit të publikut. Megjithatë, deri më tani përfaqësuesit e aktores dhe të Tom Holland nuk kanë konfirmuar asnjë informacion zyrtar për një martesë.
Zendaya dhe Tom Holland u njohën në vitin 2016 gjatë xhirimeve të filmit Spider-Man: Homecoming dhe që atëherë lidhja e tyre është bërë një nga historitë më të dashura të Hollywood-it.










