Legjenda e basketbollit amerikan dhe ikonë globale, Michael Jordan, ka vizituar Greqinë ku shijoi një qëndrim luksoz mes ishujve dhe Athinës, në kuadër të eventit ekskluziv të markës së tij “Bordi i Madhështisë” (Board of Greatness).
Jordan, së bashku me yje të tjerë të NBA-së si Luka Doncic, Carmelo Anthony dhe Bam Adebayo, darkoi në një nga restorantet më të njohura në Vouliagmeni, buzë detit, me një menu të kuruar nga shefi grek Giorgos Papaioannou. Pjata tradicionale me prodhime të freskëta deti dhe mikpritja greke duket se e lanë pa fjalë legjendën e NBA-së.
Në fund të darkës, Jordan mbajti një fjalim frymëzues ku shprehu admirimin e tij për Greqinë, duke thënë:
“Greqia është atdheu i perëndive të lashta, ku lindën heronjtë legjendarë dhe filloi koncepti i madhështisë. Në një moment vendimtar, kur e ardhmja e markës Jordan po formësohet, ne morëm frymëzim nga ky vend unik.”
Ai theksoi rëndësinë e përkushtimit dhe përsosmërisë, duke shtuar se koleksioni i ri i markës Jordan është krijuar në Itali nga artizanë që ndajnë të njëjtat vlera.
I prekur nga përvoja në restorant, Jordan e shpërbleu stafin me një bakshish prej 10 mijë eurosh, një gjest bujar që nuk kaloi pa u vënë re dhe që do të mbahet mend gjatë në atë lokal.
Vizita e Michael Jordan në Greqi shënon jo vetëm një moment të veçantë për fansat e basketbollit, por edhe një përqafim të kulturës, historisë dhe stilit mesdhetar, duke treguar se edhe legjendat marrin frymëzim nga rrënjët e lashta të qytetërimit.








