Kompania gjigande amerikane Microsoft po mundohet të gjejë një kurë për kancerin, duke përdorur shkencat kompjuterike. Hulumtuesit të laboratorit të Microsoft në Cambridge, Angli, po mundohen të hartojnë “kodin” e kësaj sëmundje, duke shpresuar të mësojnë se si krijohet kjo sëmundje, dhe më pas të ri-programojnë qelizat kanceroze në qeliza të shëndetshme. Në krye të këtij hulumtimi është Jasmin Fisher, e cila është profesore bio-kimie në ‘Cambridge University’. Sipas Fisher, ajo dhe kolegët e saj janë duke trajtur kancerin njëlloj si shkencëtarët kompjuterikë trajtojnë programet kompjuterike. “N.q.s ne arrijmë të ndërtojmë këto programe, ne atëherë mund t’i kontrollojmë ato për gabime, dhe më pas të zgjidhim problemin,” ka thënë ajo. Nuk dihet se sa para janë investuar nga Microsoft në këtë program, por sipas burimeve zyrtare, rreth 150 persona janë duke u marrë me këtë hulumtim në universitetin e Cambridge. Këta persona përbëhen nga shkencëtarë kompjuterikë, inxhinjerë, si dhe biologë. Sipas ‘Cancer Research U.K.’, organizatës më të madhe jo-fitim-prurëse në botë për hulumtime kanceri, kjo qasje e problemit është çelësi i ecurisë mjekësore. “Kanceri është një problem shumë komplex, pasi ka rreth 200 lloje të ndryshme të tij, dhe sëmundja e çdo kujt është unike. Kështu që kjo është një sfidë që duhet parë nga çdo aspekt, me çdo mënyrë të mundshme,” ka thënë Justine Alford i Cancer Research U.K., përcjell TechSot.Al. “Shpresojmë që ky projekt ambicioz të hapë rrugë për gjetjen e rrugëve për të mundur kancerin.”
Por lind pyetja: si mund të ndihmojnë kompjuterat në këtë mes?
Sipas Microsoft, laborantët janë duke përdorur makineri mësimore për të parë dhe për të qartësuar të dhënat që merren nga pacientë të ndryshëm. Një hulumtues apo doktor e ka të vështirë për të një pikturë më të madhe të dhënash, ndërsa për një kompjuter të avancuar, kjo është më e lehtë për t’u bërë. “Kemi arritur një pikë ku po ‘mbytemi’ me informacion. Matim shumë gjëra, marrim shumë të dhëna,” ka shtuar Fisher.” Por si mund t’i marrim këto të dhëna, dhe t’i kthejmë ato në njohuri? Kjo ka qënë sfida më e madhe që kemi hasur deri më sot.” Por Microsoft nuk është kompania teknologjike e parë që ka ndërmarrë një iniciativë të tillë. IBM Watson përdor pothuajse të njëjtën metodë, për të analizuar informacionet mjekësore të pacientëve. Edhe kompani si Apple dhe Google janë duke ndërmarë hapa të rëndësishme në fushën e mjekësisë për të gjetur kura për sëmundje të ndryshme, si SIDA, kanceri, etj.