Nga Ervin Kurti
Bukuria femërore është parë gjithmonë si objekt frymëzimi dhe kreativiteti. Qenia më perfekte, prej dekadash ka pasur mbretëreshën e saj, që nga seks-simbolet e deri tek bukuritë e brishta dhe delikate. Herë e trashëguar në gen e herë falë kujdesit të vazhdueshëm që femrat i kanë bërë trupit, më të bukurat prej tyre janë vlerësuar në konkurse bukurie. Edhe pse e vonë në kohë, Shqipëria e nisi rrugëtimin e përzgjedhjes së “miss”-eve në një periudhë jo fort të përshtatshme politike, por tejet të nevojshme nga pikëpamja estetike. “Miss Albania”, konkursi i parë zyrtar i bukurisë femërore në Shqipëri, ndryshoi konceptin e mijëra shqiptarëve në edukimin e shijes, përcaktimin e trendeve të modës dhe shërbeu si një pikë referimi për t’i dhënë vlerë kultit të bukurisë. Shumicës së vajzave të kurorëzuara, titulli “miss” u ka hapur shumë dyer, u ka përcaktuar profesionet në të cilat punojnë sot, kurse për disa prej tyre ka qenë thjesht ëndërr që përfundoi pas vendosjes së kurorës. Për nostalgjikët, por edhe për kureshtarët, kjo është një përmbledhje e historikut të zhvillimit të “Miss Albania”-s ndër vite, e pasuruar me informacione se ku janë aktualisht të gjitha këto vajza, të cilat u shndërruan në imazhin e përfaqësimit të bukurisë shqiptare kudo në botë.
Valbona Selimllari mbetet ikona e bukurisë shqiptare, idhulli i shumë vajzave dhe sfiduesja me plot gojën e 20-vjeçareve. E zgjedhur në fund të vitit 1991 si vajza më e bukur e Shqipërisë, Selimllari pati një rritje në kurbën e njerëzve më popullorë në Shqipëri. U zgjodh për shumë vite si imazh i një kompanie detergjentësh, për t’u shfaqur çdo ditë në ekranin e shqiptarëve, duke fituar prej tyre simpatinë dhe dashamirësinë që të gjithë gëzojnë sot për të. Nuk i është ndarë për asnjë moment personit që e ka mbështetur që në fillimet e veta, regjisores Vera Grabocka. Në vitin 1999 ajo mori pjesë në kompeticionin “Mrs Globe” në Riga të Letonisë, ku fitoi titullin si më e bukura e botës për kategorinë “Mrs”. Emisioni ‘Nga e para’ në “Vizion Plus” i dha për dy sezone televizive Valbonës, shkëlqimin shpirtëror që të gjithë njerëzit kishin nevojë të shihnin tek ajo. Dimensioni i saj human i shfaqur në këtë program pati një jehonë shumë të madhe, duke u skalitur në kujtesën e të gjithëve si vajza e ëmbël dhe mjaft e ndjeshme ndaj fenomeneve sociale. Në fillim të vitit 2014 ajo u vu në qendër të mediave rozë për shkak të deklaratës së saj si nënë e 3 fëmijëve, por që shumë shpejt u kalua në plan të dytë, pasi Bobi shpjegoi që ka dashur thjesht të ishte protektive ndaj familjes, duke kërkuar në një farë mënyre respektimin e hapësirës së saj private. Aktualisht Valbona punon si drejtore imazhi pranë një qendre tregtare në Tiranë dhe është e angazhuar si anëtare jurie e spektaklit të përjavshëm në “Tv Klan”, “Dance With Me”. Në profilin e saj në “Instagram” të hapur pak kohë më parë, përmes fotove të postuara vërehet bukuria ujë e sapun, ende e pakonkurrueshme nga asnjë vajzë tjetër.
Sidorela Kola, “Miss Albania 1992” është kurorëzuar nga aktori i shquar italian, Michele Placido. Jehona e saj si një nga vajzat më të bukura të atij viti, u venit shumë shpejt, pasi Sidorela nuk u mor më kurrë me spektaklet apo televizionin. Ajo ka mbaruar për drejtësi dhe sot punon si avokate në një studio të njohur private. Ka dy fëmijë dhe është tërhequr nga mediat që pas shpalljes si “miss”.
Në vitin 1993 nuk pati një konkurs të mirëfilltë bukurie, pasi në atë kohë po zhvillohej në Teatrin e Operës dhe Baletit një spektakël-maratonë i modës shqiptare, i quajtur “Rreth fatit për 12 javë”, nën regjinë e Vera Grabockës dhe me prezantim të Adi Krastës. 12 stilistë dizenjuan për 12 të shtuna, veshje për 100 vajza konkurrente. Stilistët shpalosën secili stilin e tyre, në një kohë kur moda nuk njihej ende në Shqipëri. Nga 100 vajza u shpall dhe top modelja e parë shqiptare, Ilda Reka. Ajo mori pjesë në “Miss Europa”, ku u kualifikua në 15 vajzat më të bukura. Gjithashtu mori pjesë edhe në “Miss World”. Prej vitesh jeton në Kanada dhe ruan ende hiret e një modeleje. Vizita e fundit e saj në Tiranë ka qenë në vitin 2010, si anëtare jurie në 20-vjetorin e “Miss Albania”-s.
Monika Zguro në vitin 1994 do të merrte stafetën e “miss”-it të radhës. Është kurorëzuar nga aktori i famshëm amerikan i serialit-hit “Beautiful”, Daniel McVicar, i njohur në serial me emrin Clarke. Ish-volejbollistja Zguro, fill pas kurorëzimit do të vazhdonte punën si top modele në një agjenci mode në Firence që e kishte ftuar dhe pranuar, por pamundësia e realizimit të dokumenteve të qëndrimit e kthyen mbrapsht atë. Fillimisht u punësua në sektorin e protokollit të Ministrisë së Mbrojtjes; më tej karriera e saj diplomatike kaloi në Ministrinë e Jashtme. Angazhimet e saj në televizion u kornizuan tek emisioni sportiv ‘Jo vetëm sport’ në “Telenorba Shqiptare”, si prezantuese e koncertit “Tre tenorët”, në disa angazhime si anëtare jurie në spektaklin “Miss Shqipëria” të Petri Bozos, si dhe në të tjera produksione të tij. Monika, tashmë është tërhequr komplet nga bota e televizionit dhe i është përkushtuar punës së saj si eksperte e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Hygerta Sako vijoi rrugëtimin e “miss”-eve në vitin 1995. Ajo do të mbahet mend për shpërthimin emocional më origjinal që përjetoi kur u shpall ‘miss’. U kurorëzua nga gjiganti i modës, Pierre Cardin. Ky çmim do t’i printe për mbarë Hygertës, pasi e gjithë karriera e saj u fokusua në botën e televizionit, me reklama dhe spektakle të përjavshme dhe emisione televizive. Prej disa vitesh ajo është stacionuar në “TVSH”, ku ka prezantuar emisionin e mëngjesit, më pas “Drejtpërdrejt” dhe disa spektakle shumë të rëndësishme në këtë televizion. Aktualisht drejton rubrikën sportive. Hygerta është nënë e një vajze.
Venera Mustafa, “Miss Albania 1999”, ishte vajza nga Kosova që e çoi kurorën e “miss”-it në vendlindjen e saj “artistikisht”, pasi fizikisht ajo ishte një refugjate që po jetonte përkohësisht në Tiranë, për shkak të luftës që zhvillohej në Kosovë. Venera përfaqësoi Shqipërinë në “Miss Europa 1999”. Ajo mbaroi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Prishtinë dhe specializimin në Paris për teknikat e modës. Tani jeton në Kosovë, ku punon si “fashion dizajner” në atelienë e saj. Ajo ka dhe faqen zyrtare në internet, ku ekspozon të gjitha veshjet e saj, të cilat mbajnë logon e brandin “veneremustafa”.
Gentiana Ramadani, “Miss Albania 2000”. Vajza shkodrane që kishte pasion gazetarinë, përfundoi fakultetin dhe punoi në redaksinë e gazetës “Koha Jonë”. Tashmë ajo e ka futur në sirtar kurorën e bukurisë dhe u është përkushtuar fushës akademike dhe mbrojtjes së kauzave sociale. Genta është aktivizuar edhe si pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës. Është mjaft aktive në kauzat feministe, sidomos për dhunën ndaj gruas, dhe shkruan në gazeta të ndryshme për tema të mprehta sociale. Ajo është e martuar me gazetarin Edi Lesi dhe ka dy fëmijë. Në muajin gusht të vitit 2014, është transferuar në Austri për ndjekjen e doktoraturës, po në lidhje me profesionin e saj.
Anisa Kospiri, “Miss Albania 2001”. Vajza me flokët kaf dhe sytë blu, një vit më vonë, në 2002-shin u rendit në 10 vajzat më të bukura në radhët e “Miss Universe”. Ishte hera e parë që një vajzë shqiptare kalonte në këtë fazë, duke e shndërruar Shqipërinë në qendrën e bukurisë femërore. Anisa, tashmë është e martuar dhe gëzon një jetë familjare jashtë vëmendjes së mediave dhe publikut. Aktualisht punon pranë një fondacioni gjerman në Tiranë.
Anjeza Maja, “Miss Albania 2002” u dërgua si përfaqësuesja e Shqipërisë në “Miss Europa” dhe “Miss World”, duke u konsideruar mes përfaqësueseve të 120 shteteve si bukuria aziatike në Mesdhe. Pas këtyre konkurseve, Anjeza iu përkushtua mirëfilli punës në televizion, kryesisht në “Tv Klan”, me moderimin e “Maratonës së Këngës Popullore” në disa sezone; gjithashtu ka qenë pjesë e stafit të emisionit “Opinion”. Për dy vite Anjeza ishte pjesë e “Agon Channel”, me emisionin e saj muzikor ‘Hit Play’ dhe me pjesëmarrjen në “Dita e shtatë”. Më vonë u angazhua si folëse lajmesh në TVSH dhe së fundmi drejton programin “Në shtëpinë tonë” në “Top Channel”.
Denisa Kola, “Miss Albania 2003”. Ka fituar çmimin “Miss Scholarship” në “Miss World”, dhënë nga aktori me famë ndërkombëtare Jackie Chan. Vajza më inteligjente e botës u kthye në Shqipëri me një krenari edhe më të madhe, atë të përfaqësimit plot dinjitet të bukurisë shqiptare në botë. Ajo është tërhequr nga bota televizive që pas shpalljes si “miss”.
Agnesa Vuthaj, “Miss Albania 2004”. “Miss Kosova 2003”, Agnesa, vajza me bukuri tipike mesdhetare, një vit më vonë rrëmbeu çmimin e më të bukurës në trojet shqiptare. Agnesa është nga të paktat “miss”-e që vazhdon karrierën e saj në botën e modës dhe televizionit. Organizatore e “Miss Kosova”, anëtare jurie e “Miss World Albania 2004”, “Miss Universe Albania 2005”, një nga vajzat më të kërkuara të kopertinave dhe spektakleve televizive në Shqipëri dhe Kosovë, pjesëmarrëse në spektaklin “Dancing With The Stars Albania”, ku së bashku me balerinin italian Simone Pigliacelli u klasifikuan si çifti më simpatik i atij edicioni. Agnesa ruan ende linjat perfekte të një vajze mjaft tërheqëse. Prej disa vitesh ajo ka dyqanin e saj të veshjeve, “Agnesa Vuthaj Fashion”, në Prishtinë, dhe është shumë aktive në showbiz. Së fundmi ka krijuar edhe një linjë të sajën për këpucë e çanta.
Suada Sherifi, “Miss Albania 2005”. Ish-basketbollistja e skuadrës së Tiranës, vajza shtatlartë vlonjate me zërin e ëmbël, e vijoi karrierën e saj me reklama e dalje televizive mjaft të shpeshta. E kemi parë si bashkëprezantuese në disa spektakle, si tek ‘Mos u nxeh’ në “Vizion Plus” krah Turjan Hyskës, dhe kapitene e skuadrës “Aloha 5000” në “E Diela Shqiptare” para disa muajsh. Vitet e fundit ajo është shndërruar në një “fashion icon”, ku poston në “Instagram” të gjitha kombinimet perfekte të veshjeve të saj, duke u radhitur si një ndër personat më me influencë në botën e modës në Shqipëri. Ka sfiluar thuajse çdo vit në pasarelën e “Geraldina Sposa”. Suada Sherifi mbetet ende, një nga “miss”-et më të bukura shqiptare që i kanë rezistuar kohës.
Egla Harxhi, “Miss Albania 2007”, pas kurorëzimit, vijoi studimet në degën e arkitekturës. U tërhoq përfundimisht nga bota e medias; aktualisht punon si arkitekte dhe është e martuar.
Elda Dushi, “Miss Albania 2008”. Në spektaklin “Miss World” do të përkufizohej nga shtypi i asaj kohe si Nicole Kidman apo Sharon Stone shqiptare. Që prej shpalljes si “miss”, Elda nuk është shfaqur më në televizion.
Armina Mevlani, “Miss Albania 2009”, përfaqësuese e Shqipërisë në “Miss World”, ku ka fituar çmimin për fustanin më të bukur në të gjithë botën. Fustani i krijuar nga një prej stilistëve më të mirë shqiptarë, ArdiAsllani, mbeti në memorien e të gjithëve për origjinalitetin e tij dhe motivet popullore të përdorura në dizenjim. Por Armina nuk e la me kaq. Ajo iu përkushtua edhe më tej botës së showbiz-it. Ka qenë për 2 vite Drejtore Kreative e revistës “Harmony”, bashkëprezantuese e “Kënga Magjike 2012” krah Ardit Gjebreas dhe Olta Gixharit, bashkëprezantuese me Jonida Maliqin e edicionit të katërt të “Dancing With The Stars Albania”. Së fundmi Armina ka bërë publike lidhjen e saj 2-vjeçare me djalin e ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha, ekskluzivitetin e së cilës e kishte kopertina e parë e revistës “Who”. Për momentin ajo rezulton personazhi më i komentuar i mediave rozë. Së fundmi është zgjedhur si imazh i “D&G Make Up” dhe po rezulton si një sipërmarrëse e zonja me biznesin e saj.
Arnita Beqiraj, “Miss Albania 2010”. Kurora ishte pikënisja e saj për shumë destinacione, secili prej tyre me një mësim të vetin në fund. Ajo është moderatore prej tri vitesh e talent show-t ‘X Factor’ në “Tv Klan”. Dashuria e saj për televizionin nuk kornizohet vetëm para kamerave, por edhe pas tyre. Së fundmi e shohim të angazhuar edhe në programin “Dance With Me” në “Tv Klan”.
Isi Topçiu, “Miss Albania 2011”, u përzgjodh për të marrë pjesë në “Miss World”. Isi jeton mes Italisë e Shqipërisë dhe është pjesë e agjencisë së modeleve “Icon”.
Floriana Garo, “Miss Albania 2012”. Përfaqësuese e Shqipërisë në “Miss World 2012” në Kinë. Floriana ka jetuar për 8 vite në SHBA dhe pas kthimit në Shqipëri, do t’i futej botës së televizionit, fillimisht si imazhi i motit në televizionin “ABC”. Ka bashkëprezantuar Festivalin e 51-të të Këngës në “RTSH” me Enkel Demin dhe spektaklin “Miss Globe” krah Gent Bejkos. Bukuria dhe eleganca e saj nuk do të liheshin pa u vënë re dhe nga agjencitë publicitare. Ajo është imazhi i firmës së veshjeve “Cortefiel”. Prej tri sezonesh është autore dhe drejtuese në emisionin kulturor ‘Jo vetëm modë’ në “Tv Klan”.
Ersela Kurti, “Miss Albania 2013”. Vera Grabocka dhe Fadil Berisha atë vit bashkuan forcat dhe spektaklet e tyre, “Miss Albania” dhe “Miss Universe Albania”, në një të vetëm. Çmimin e “Miss Albania”-s e mori bukuroshja Ersela Kurti, e cila përfaqësoi Shqipërinë në “Miss World 2013” në Indonezi. Është aktivizuar në spektaklin e përjavshëm tek ‘E Diela Shqiptare’ në “Tv Klan”. Në të njëjtën kohë vazhdoi studimet Master në degën e drejtësisë. Aktualisht jeton në SHBA.