Mbrëmjen e së martës, lajmi se Mozzik ishte ndaluar nga policia doganore në Aeroportin e Prishtinës bëri xhiron e rrjeteve sociale. Sipas raportimeve, reperi nga Ferizaj u shoqërua në mbajtje për 24 orë për shkak të dyshimeve mbi prejardhjen e dy orëve luksoze që kishte me vete. Njëra prej tyre, e markës së njohur Richard Mille, vlerësohet deri në 1.5 milionë euro,duke ngritur pikëpyetje mbi deklarimin dhe mënyrën e blerjes së saj.
Vetëm pak orë para ngjarjes, Mozzik kishte ndarë në rrjetet sociale një foto me këtë orë, duke treguar se ia kishte bërë dhuratë vetes për 30-vjetorin e lindjes.
Por situata mori kthesë kur avokati i tij, Arianit Koci, hodhi poshtë të gjitha pretendimet. Në një reagim publik ai shkroi se klienti i tij nuk ishte arrestuar dhe se në momentin kur po shpërndaheshin lajmet, Mozzik ndodhej duke pirë kafe me të. Koci e cilësoi informacionin e përhapur si “të pavërtetë dhe pa bazë ligjore”.
Ndërkohë, një reagim ironik erdhi edhe nga i vëllai,Getinjo, i cili në InstaStory shkroi:
“Mos bëni zhurmë, zhurmë bën vetëm gjeneratori.”
Për momentin, autoritetet nuk kanë dhënë asnjë konfirmim zyrtar rreth ndalimit apo orëve luksoze të reperit. Çfarë ka ndodhur realisht me Mozzik, pritet të sqarohet në ditët në vijim.









