Mbrëmja e 14 qershorit e shndërroi sheshin “Italia” në një superpasarelë mode në finalen e “Muza Competition”.
Ky projekt i ndërmarrë nga Unioni i Bashkive Shqiptare në rajon përfshin aktivizimin e të rinjve pasionantë dhe profesionistë në rijetësimin e elementeve etnografikë në fushën e fashion-dizajn-it.

Me aplikimin e më shumë se 1000 të rinjve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, u zgjodhën 10 finalistën që pasqyruan koleksionet e tyre në megaspektaklin. Fitorja këtë vit shkoi për Klara Kazanin me koleksionin e saj “Nën Vello”.
Të rinjtë ruajnë trashëgiminë, ruajnë elementët etnografikë, e mbi të gjitha krijojnë ura lidhëse të përjetshme.

Në moderimin e prezantueses së njohur Rudina Magjistari, në kujdesin e drejtoreshës Ekzekutive të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, Andriola Kambo dhe në pasqyrimin e jurisë profesioniste, Fadil Berisha, Emina Çunmulaj, Valdrin Sahiti, Afërdita Onuzi, Adriana Matoshi, Enada At Nikolla dhe Helidon Haliti, “Muza” i frymëzoi të gjithë.
Vendi i tretë u shpërblye me 5000 euro, vendi i dytë me 10000 euro dhe fituesja e vendit të parë me 20000 euro. Ky i fundit u dorëzua nga kryebashkiaku i Tiranës, zoti Erion Veliaj i cili u shpreh se ndihet krenar që një projekt si “Muza” i bën bashkë trevat shqipfolëse me një qëllim të veçantë.

Në kompeticion sigurisht morën pjesë edhe shumë figura të njohura të showbiz-it shqiptar.









