Aktori i famshëm i filmave aksion, Chuck Norris, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare. Lajmi u bë publik nga familja e tij përmes rrjeteve sociale, ku u theksua se ai u shua në qetësi, i rrethuar nga më të dashurit e tij.
Në deklaratë, familjarët shprehën dhimbjen e thellë për humbjen, duke e përshkruar Norris si një figurë të jashtëzakonshme jo vetëm në kinematografi dhe artet marciale, por edhe si një bashkëshort dhe prind i përkushtuar.
I lindur si Carlos Ray Norris në Oklahoma në vitin 1940, ai arriti famë fillimisht me filmat e arteve marciale gjatë viteve ’70 dhe ’80, duke u bërë një nga emrat më të njohur të zhanrit aksion. Ndër filmat që e ngritën në këtë status përfshihen “A Force of One” dhe “An Eye for an Eye”.
Popullariteti i tij u rrit edhe më shumë me serialin televiziv Walker, Texas Ranger, i cili debutoi në vitin 1993 dhe mbeti për shumë vite ndër më të ndjekurit.
Para se të hynte në botën e aktrimit, Norris kishte shërbyer në Forcat Ajrore të SHBA-së. Pikërisht gjatë qëndrimit në Kore ai u njoh me karatenë, një disiplinë që më vonë do t’i hapte rrugën drejt suksesit. Ai ishte gjithashtu mik dhe bashkëpunëtor i legjendës së arteve marciale Bruce Lee, me të cilin luajti në filmin “Way of the Dragon”.
Përtej famës dhe karrierës, Chuck Norris do të mbahet mend për disiplinën, vlerat dhe përkushtimin ndaj familjes, duke lënë pas një ndikim të madh te fansat në mbarë botën.








