Italia ka humbur sot një nga figurat më të dashura të historisë së saj televizive. Pippo Baudo, i lindur më 7 qershor 1936 si Giuseppe Vittorio Raimondo Baudo, u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi që shtrihet përtej ekranit dhe kulturës popullore.
I njohur për prezencën e tij karizmatike, ai nuk ishte vetëm prezantues, por edhe drejtor artistik dhe president i Teatro Stabile di Catania. Në vitet ‘70, Baudo luajti një rol kyç në ngritjen e kanalit privat “Antenna Sicilia”. Për një periudhë të shkurtër kaloi në Mediaset, pasi në vitin 1987 u përplas me presidentin e RAI-t, Enrico Manca. Atje prezantoi emisionin “Festival”, por më vonë u rikthye sërish në RAI, duke i dhënë jetë programeve të suksesshme si “Gran Premio” dhe “Serata d’Onore”.
Një moment që mbetet i paharrueshëm në karrierën e tij ndodhi në hapjen e Sanremos 1995, kur ai shpëtoi një spektator që tentoi vetëvrasje. Ajo skenë dramatike u shoqërua me duartrokitje të gjata nga publiku dhe shënoi përjetësisht imazhin e tij si një figurë humane e guximshme.
Në fund të viteve ‘90, Baudo solli në Rai Tre programe si “Giorno dopo Giorno” dhe “Novecento”, ndërsa në vitin 2002 iu rikthye Festivalit të Sanremos, këtë herë në bashkëprezantim me Manuela Arcuri dhe Vittoria Belvedere.
Pas disa shkëputjesh, në vitin 2005 u kthye me “Sabato Italiano” dhe mori drejtimin e “Domenica In” për herë të tetë, duke e bërë këtë emision pjesë të pandashme të emrit të tij. Në vitin 2008, hyri në histori si njeriu që e prezantoi Sanremon plot trembëdhjetë herë, duke thyer rekordin e Mike Bongiorno.
Pippo Baudo ishte shumë më tepër sesa një prezantues: ai ishte simboli i një epoke ku televizioni italian formësoi kulturën, emocionet dhe kujtimet e miliona shikuesve. Figura e tij mbetet një pikë referimi e artit të të folurit para publikut dhe e pasionit për skenën.








