Princi saudit Al-Waleed bin Khalid Al Saud, i njohur nga shumë si “Princi i fjetur”, ka ndërruar jetë në moshën 36-vjeçare, pas një qëndrimi prej afro 20 vitesh në koma – një histori që kishte ngjallur ndjeshmëri të gjerë ndërkombëtare.
Në vitin 2005, kur ishte vetëm 15 vjeç dhe student në një kolegj ushtarak në Londër, Princi Al-Waleed pësoi një aksident të rëndë që i shkaktoi gjakderdhje në tru dhe dëmtime të rënda të brendshme. Pas trajtimit fillestar, ai u transferua në Arabinë Saudite, ku për 19 vite qëndroi në Qendrën Mjekësore Mbretërore King Abdulaziz në Riad, duke mbetur në gjendje kome dhe i mbajtur në jetë me ndihmën e pajisjeve mjekësore.
Lajmin për ndarjen nga jeta e dha vetë babai i tij, Princi Khaled bin Talal Al Saud, përmes një mesazhi prekës në platformën X:
“Me zemra që besojnë në vullnetin dhe fatin e Allahut, me dhimbje dhe pikëllim të thellë, njoftojmë ndarjen nga jeta të djalit tonë të dashur: Princit Al-Waleed bin Khaled bin Talal bin Abdulaziz Al Saud. Allahu e mëshiroftë.”
Për vite me radhë, Princi Khaled kishte refuzuar prerazi çdo sugjerim për shkëputjen e aparaturave që e mbanin të birin gjallë, duke mos humbur kurrë shpresën se një ditë ai do të zgjohej.
Historia e Princit Al-Waleed ka prekur miliona njerëz, duke u kthyer në simbol të durimit, përkushtimit familjar dhe dashurisë pa kushte.








