Nga revistawho.com / Fotot: Pirro Beati / Video: Blerti Talelli
Ai është një mik i revistawho.com, sepse ka ndarë me ne jo vetëm ekskluzivitete nga jeta e tij, por edhe receta për lexuesit tanë të apasionuar pas kuzhinës. Bëhet fjalë për masterchef-in Renato Mekolli, i cili ka vetëm pak ditë që ka publikuar librin e tij të parë të kuzhinës “Sekretet e shijes”, që po rezulton një sukses i vërtetë për të dhe për shtëpinë botuese “Dudaj” në Panairin e Librit.
Shefi i “ëmbël” (ndonjëherë edhe i “kripur”) tregon në një intervistë për revistawho.com emocionet që ka marrë këto ditë gjatë panairit, kur vëren që njerëzit mbajnë radhë për të marrë librin dhe autografët e tij, por edhe se si i mëson “asaj” truket e gatimit në kuzhinë. Cila është “ajo”, e zbulojmë në intervistën e mëposhtme.
Renato, libri yt i parë “Sekretet e shijes” duket se po rezulton një sukses. Ti vetë e ndjen këtë?
Jam shumë i kënaqur, është një sukses i jashtëzakonshëm që nuk e prisja as vetë. Në dy ditë ka pasur shumë njerëz dhe kemi filluar ta ribotojmë librin që siç duket shumë shpejt do të bëhet edhe “bestseller” (qesh).
Një vetëbesim shumë i madh, është publiku femëror që ta jep këtë?
Nuk janë vetëm zonjat që e kanë blerë librin tim, nëse do ishit tek stenda e shtëpisë botuese “Dudaj”, do të shihni që ka edhe meshkuj, apo njerëz nga të gjitha grupmoshat që e preferojnë këtë botim timin të parë.
Si mendon pse kishte etje për një libër të tillë, kishte mungesa në tregun shqiptar apo njerëzit e duan Renaton?
Nuk besoj se kishte mungesë librash të tillë, por ky libër ka ato që çdo njeri do të donte t’i kishte në bibliotekë, ose në këndin e kuzhinës. “Sekretet e shijes” është punuar me shumë kujdes dhe përkushtim që amvisat ta kishin në kuzhinën e tyre. Recetat janë shumë të thjeshta, produktet për përgatitjen e tyre do t’i gjejnë në çdo market dhe fjalët janë 100% shqip. I kemi minimizuar të gjitha fjalët e huaja në mënyrë që të ishte sa më i kuptueshëm për blerësit.
Kolegët e “DWM” të kanë mbështetur me pjesëmarrjen në panair, si ndihesh për këtë?
Ndihem shumë i gëzuar, i lumtur dhe shumë i përkëdhelur që kam mbështetjen e tyre. Nuk ua kam kërkuar këtë dhe ata e bënë vetë, duke filluar nga prezantuesja Alketa Vejsiu, që e promovoi librin gjatë gjithë kësaj kohe në program, për të vazhduar me Valbona Selimllarin, Rozana Radin, Laura Nezhën, Arnita Beqirajn, etj.
Po rrjetet sociale a të kanë ndihmuar për ta promovuar librin?
Padyshim që edhe rrjetet sociale e kanë bërë punën e tyre, kanë një forcë shumë të madhe tashmë në jetën tonë. Unë kam dy muaj që nuk jap intervista ndonëse jam pjesë e “DWM”, sepse prisja që të flisja për librin dhe restorantin. Nuk e kam qëllim “DWM”, sepse nuk jam kërcimtar, unë jam një shef kuzhine që e do shumë punën e tij, ndonëse bëj edhe gjëra të tjera suplementare në ekran. Ekrani mua më do dhe do të jem gjatë pjesë e tij.
Ti je i pari shef kuzhine me kaq popullaritet dhe publiku shqiptar (një pjesë e mirë e tij) të do vërtetë. Kush është çelësi yt i suksesit në ekran, do të jesh protagonist apo kështu je dhe pikë?
Protagonist nuk dua të jem, por nëse marr përsipër diçka dua të jap maksimumin tim dhe televizionin e shfrytëzoj për pjesën time të punës.
Si po ecën puna me restorantin?
Po ecën mirë. Ishte një vonesë 1-vjeçare, duke qenë se unë e kisha paralajmëruar para një viti, por nuk do të bëja kurrë asgjë, nëse nuk do të ishte momenti i duhur me njerëzit e duhur. Qëllimi është të hapet në fillim të dhjetorit dhe do të jetë një ambient për të gjithë ata që duan të ushqehen shëndetshëm, pa paguar shumë para, që të ndihen si në shtëpinë e tyre.
Si do të konkurrojë Renato, di që në zonën ku do të hapet restoranti ka shumë të tillë. Çfarë do të sjellësh ti ndryshe dhe a i trembesh konkurrencës?
Konkurrencën s’e kam aspak frikë. Jam shumë i sigurt në atë që do të bëj, kam një koncept tepër të veçantë, një koncept që do të qëndrojë në atë që duan njerëzit, në shije, çmime e ide. Me një kuzhinë të hapur, ku mysafirët do të më shohin mua duke gatuar. Menuja do të ndryshojë sipas stinëve, duke përfshirë peshkun, mishin, ëmbëlsirat, pastat, etj.
A është e vështirë të gjesh stafin e duhur për të materializuar gjithë këto ide?
Është shumë e vështirë, ndonëse një pjesë të mirë të intervistave për stafin i kam mbaruar. Por mungojnë profesionistët, pasi nuk kanë patur një shef të mirëfilltë kuzhine në restorantet ku kanë punuar. Ata kanë qenë kuzhinerë dhe ka një ndryshim shumë të madh mes një shefi dhe një kuzhinieri.
Ti the pak më parë që njerëzit kur të vijnë në restorant do të të shohin duke gatuar, pra do të kemi një “mini spektakël”, por në kuzhinën tënde dhe në profesionin tënd tashmë?
Kuzhina do të jetë e hapur, por me xham, pra nuk do të dëgjohen zhurmat që mund të krijohen aty. Gjithçka do të jetë e mirëmenduar, stafi do të ketë veshjet e tij të personalizuara. Të personalizuara do të jenë edhe disa pjata edhe për klientët e mi.
Renato ajo që më bën përshtypje edhe në librin tënd, por edhe restorantin që ti do hapësh, di që do të kesh pranë vetes njerëz të afërt, pra miq të mirë. Sa të rëndësishëm janë ata për ty?
Për mua ata janë shumë të rëndësishëm. Njerëzit që më rrethojnë janë shumë të paktë dhe ata më bëjnë të ndihem i sigurtë dhe mirë. Ata miq i dua afër.
Nëna jote është ajo që ta frymëzuar për t’u bërë shefi që je sot. Ne vdesim për gatimet e tua, ti për pjatat e nënës tënde. Tani komentet pozitive për librin i kemi me bollëk, më thuaj pak ke marrë kritika prej saj?
Mami më kritikon gjithnjë, jo vetëm për librin. Ajo do që të jem sa më i mirë, i dashur, të jem me këmbë në tokë dhe mos të ndryshoj aspak nga fama.
Po mikesha e zemrës çfarë të ka thënë për librin? Apo s’e ke një të tillë?
Tani s’diskutohet që e kam një mikeshë, por unë këtë pjesë nuk dua t’ia prezantoj publikut, sepse më intereson të dëgjohet puna ime dhe jo të rejat e jetës sime personale.
Po mirë meqë paska një njeri në jetën tënde, ke marrë vlerësime pozitive prej saj?
Sigurisht që po, pasi është shumë lumtur për suksesin tim.
D.m.th është e vërtet që dashuria kalon nga stomaku apo jo?
Po, patjetër që po… (qesh)…
Ndonjë sekret që ia beson vetëm asaj në kuzhinë?
Të gjitha sekretet i kam treguar në libër… Edhe ajo e di, që për një pjatë super, duhet derdhur brenda shumë dashuri.