Nga RevistaWho.Com / Fotot: Henris Kuka / Hair & Make Up: Suela Çangu / Falenderime për “Dolce Casa”, dyqanin unik të arredimit
Të caktoje një ditë set-i fotografik me ta, qe e vështirë. Duke qenë prindër me kohë të plotë e njëherësh dhe artistë të angazhuar, nuk po arrinim dot t’u vidhnim një pasdite. Më në fund, pasi anuluam 3-4 takime ia arritëm. Kur i pamë të afroheshin për tek shkallët e “Dolce Casa”, ne por edhe vajzat e stafit të dyqanit u mallëngjyem, aq të bukur dukeshin. Në fillim hyri Geri (ose siç e njihni të gjithë, Big Basta), e dyta Vesa e në fund në krahët e gjyshes “tironce” ylli i familjes, Liani. Po përpara se t’iu tregojmë të gjithë “lëmshin” e set-it fotografik, na duhet të kthehemi rreth 3-4 orë më herët në kohë, kur e takuam Vesën tek salloni i bukurisë së profesionistes Suela Çangu. Ishte e qetë po sigurisht me mendjen “a fjeti i vogli”, që të mos na e zinte gjumi duke bërë kopertinën. Vesa na tregoi se çunat i kishte veshur të dy njësoj, me kostum e me papion. “E dini kush është e bukura?! U mendova gjatë se si do i vishja ata për kopertinën tonë të parë, të tre. Porosita Gerin të blinte një papion e u kënaqa për zgjedhjen që bëra. Por më besoni, kisha harruar veten time. U zgjova sot në mëngjes e thashë ‘booo, po unë s’kam menduar çfarë do vesh vetë’. Ehh çfarë do të thotë të bëhesh nënë”, thoshte ajo duke qeshur. Tani të kthehemi tek fotot. Pranë pemës ishin Bigu, Vesa dhe në mes Liani. Përballë tyre fotografi ynë i talentuar Henris Kuka dhe pas shpinës së tij pesë zonjëza që këndonim, kërcenim, përplasnim duart e nxirrnim zëra të çuditshëm që Liani të qeshte. Rezultati ishte se VIP-i i vogël, përballë objektivit rrinte serioz. Sa lëviznim nga plani, qeshte pa pushim. E kështu kaloi realizimi i kopertinës sonë, kohë në të cilën zbuluam edhe të tjera të “fshehta” të familjes. Bigu dhe Vesa e thërrisnin njëri-tjetrin “jetë” e dukeshin aq të dashuruar… Nëna e Big-ut komplimentat i kishte kryesisht për Lianin dhe sidomos për Vesën, që për hir të së vërtetës atë ditë dukej një yll. Aq sa një moment i biri repist i thotë: “Herën tjetër do marrim me vete mamin e Çiljetës”. Me plot humor e shumë dashuri, bëmë një nga punët tona më të mira, që ia sjellim sot lexuesit të “WHO”, si kartolinë urimi për festat. Por prisni, më poshtë do të lexoni edhe rrëfimin e sinqertë, të një familjeje të re artistësh të lumtur!
Çifti ky fundvit ju ka gjetur duke festuar në shtëpi. E llogarisni dot, sa vite keni që për festa keni qenë në punë, nëpër koncerte?
Vesa: Tani që po e mendoj mirë, nuk e mbaj mend fare herën e fundit që kam festuar në shtëpi, u bënë shumë shumë vite. Dhe tani që vendosëm me Gerin që sivjet, meqë u bëmë familje, të festojmë në shtepi, mezi po e presim.
Big Basta: Ne kemi më shumë se 10 vite nëpër evente për Vitin e Ri. Besoj ky vit është ideal për pushim. Pasi kemi një arsye shumë më të fortë sesa biznesi I muzikës. Lian e ka Vitin e Ri të parë.
Duam të vërtetën, a ju mungon ndopak kjo gjë sivjet?
Vesa: Nuk më mungon, thjesht më duket shumë e çuditshme të jem në shtëpi këte ditë! Mund të them se unë personalisht e kam vuajtur gjithmonë që për festa kam punuar, sepse festat i kam shumë të shenjta!
Big Basta: Më tepër ka qenë e sikletshme pjesa e të refuzuarit të ofertave sesa na mungon eventi sivjet (buzëqesh). Thjesht është një provë edhe për ne si familje, që ta jetojmë këtë ditë si çdo familje tjetër.
Vesa na e përshkruaj me pak fjali: Viti 2016 për Vesa Lumën ishte?
Viti 2016 ishte viti më i bukur i jetës sime. Nuk kam fjalë të pershkruaj ndjenjën që përjetova kur erdhi në jetë fryti i dashurisë sonë- Liani! Uroj çdo femër ta perjetojë atë ndjenjë. Pastaj, gjerat e tjera duken shumë më të thjeshta… Sa i përket punës, muzikës, realizova dhe një dëshirë timen të kahmotshme që ishte kënga dhe videoja për babain, që kisha vite që e ndjeja që duhet ta bëja. Dhe këtë vit ishte momenti më i duhur dhe e ndjeva më shumë se çdo herë tjetër ngaqë u bera dhe vetë prind. Pra si përmbyllje, viti 2016 ishte viti i përmbushjes shpirtërore!
Po për ty Big Basta?
Për mua viti 2016 ishte viti i suksesit të padiskutueshëm. Është viti kur çdo plan që kisha m’u realizua, si edhe çdo ëndërr që kisha m’u realizua. 2016-ta më ka hapur dyer të medha drejt të ardhmes. Madje mbyllja e këtij viti, me fitoren në Festivalin RTSH ishte dhe mbyllja ideale.
Prej rreth 7 muajsh jeta juaj ndryshoi përgjithmonë. Vesa çfarë do të thotë të jesh nënë?
Të jesh nënë përveçse një privilegj, është përgjegjësi, përkushtim… Të gjitha që vijnë aq natyrshëm tek mua. Dhe unë deri më sot jam shumë e lumtur që kam marrë vendimin më të mirë ndonjëherë- të jem pranë Lianit nëçdo sekondë, të pakten deri kur i mbushi 6 muaj. Tani që do të filloj aktivitetet me më shume intensitet, e di që do ta kem shumë të veshtirë të adaptohem. Por ai po rritet dhe ne duhet të jemi shembull për të duke punuar dhe duke vazhduar sukseset!
Kujt i ngjan më shumë djali?
Vesa: Liani akoma është shumë i vogël dhe nuk e bëjmë dot dallimin se kujt i ngjan më shumë, por mendoj se ka marrë gjërat më të mira nga secili nga ne të dy.
Bigu ç’do të thotë të jesh baba?
Këto 7 muaj kemi kuptuar sesa pa vlerë ka qenë çdo gjë përpara se të kishim një fëmijë. Është ai që ma bën zgjimin perfekt dhe gjumin e ëmbël. Të jesh baba është bekim dhe sidomos përgjegjësi. Jam me fat që kam një shok të ngushtë, por që për momentin vesh ‘pampers’.
Lian për kë nga ju të dy qan më shumë?
Big Basta: Lian patjetër që për Vesën ka dobësinë më të madhe. Por për mua e mer rmalli shumë ngaqë jam gjithë ditën me punë dhe reagimi i tij kur më shikon në shtëpi është i pakrahasueshëm.
Kush e bën më shumë për të qeshur?
Big Basta: Të dy e bëjmë për të qeshur. Ështe mjaft i qeshur si fëmijë dhe mjaft lozonjar.
Na tregoni pak më shumë për tryezën e festës në shtëpinë tuaj. Vesa do gatuash ti?
Vesa: Unë do mundohem të gatuaj. Kam ndërmend të bëj 3 specialitete e shpresoj të kem kohën e duhur. Tryeza jonë do jetë e miksuar, tradicionale dhe disa specialitete të marra nga faqet e njohura të gatimit!
Big Basta: Vesa është shefi i mbrëmjes, por edhe unë jam një kuzhinier ekskluziv. Tradicionalja nuk do mungojë, po pjatat e veçanta janë specialiteti im.
Gjatë setit fotografik pamë një marrëdhënie të shkëlqyer nuse-vjehrrë. Apo kështu na u duk ne?! Ç’mund të na thuash më shumë për familjen që gjete në Tiranë kur burri i jetës të solli përdore…
Është e vërtetë. E kam thënë disa herë që është një marrëdhenie perfekte, e afërt dhe shume e sinqertë si me vjehrrën edhe me vjehrrin! Dhe kjo ka qenë qysh në fillim! Njerëz të urtë, të sjellshëm e të ndershëm, të cilet kanë edukuar djalin e tyre në menyrën më të mirë të mundshme. Jam me fat dhe e lumtur që Liani do të rritet në një frymë të tillë!
Vesa po tek shtëpia jote në Kosovë si e festoni Vitin e Ri?
Për momentin anëtarët e familjes time i kam të gjithë jashtë Kosovës duke i festuar festat e fundvitit. Nënën dhe motrën në Amerikë, ndërsa motrën e vogël në Japoni me studime. Andej festat kanë pak më shumë lezet ngaqë i shoqëron bora. Të tjerat janë të njëjta me Tiranën! Festë, muzikë dashuri…
Bigu se ty nuk të pyetëm, ti si i ke raportet me vjehrrën?
Vjehrra ime është një njeri i rrallë dhe shumë e përshtashme. Tëdy jemi duhanpirës dhe na shkon muhabeti shumë. Gjithashtu dua të shtoj, se gatimet e saj janë pjesë e preferencave të mia. Jam me fat që Vesa ka një familje të shkëlqyer ku mbizotëron pozitiviteti dhe sinqeriteti. Për këtë, vjehrra ime ka meritat kryesore, prandaj e vlerësoj shumë.
Na thoni pak planet tuaja për 2017-tën. Vesa kemi dëgjuar se do rikthehesh fuqishëm. Është e vërtetë?
Vesa: Patjetër, jam tepër e uritur për vitin 2017 (qesh). Do të rikthehem me një projekt muzikor shumë energjik dhe me një emision televiziv të përmasave më të mëdha në Kosovë. Sërish si autore dhe producente e emisionit! Mezi po e pres…
Big Basta: 2017 = Vesa & Big, thjesht, shkurt, shqip!
Bigu ti drejton një radio që transmeton ekskluzivisht muzikë hip-hop. Si je ti si drejtor i MCN Radio? Si i ke raportet me stafin? Je një shef i rreptë? A jep kollaj leje?
(Qesh) Jam me fat që kam një staf fantastik dhe njerëz të cilët e duan punën që bëjnë. Jam me fat gjithashtu që kjo radio po ecën me hapa marramendës dhe po pëlqehet dita ditës. Lejet stafit ja jap kur e kanë bërë punen e tyre, është kërkesa kryesore që kam. Kujdesem shumë që mes stafit të ketë harmoni e pozitivitet dhe më pëlqen të bëj “brainstorm” ( bisedë rreth ideve) me ta, sepse nuk dua kurrsesi t’i bëj të ndihen sikur punojnë për mua ose për MCN Radio. Ata punojnë me mua dhe me MCN Radio.
Cilat janë objektivat e radios për këtë vit që po vjen? Ku do të donit të arrinit?
Objektivat e radios për këtë vit janë emisionet cilësore me moderatorë mjaft të njohur të skenës shqiptare. Gjithashtu do kemi ‘live’ set nga DJ shqiptarë dhe të huaj. Meqë shumë artistë të famshëm si Million Stylez, O T Genasis, MOP etj, na kanë suportuar duke sjellë përshendetje për radion, synojmë që të marrim suport dhe nga Ice Cube, Snoop Dogg, Rita Ora, Maitre Gims, etj. Kjo e bën edhe më të afert objektivin e madh që kemi. Në Europë jemi nga të vetmet radio që transmetojmë muzike hip-hop nga e gjithë bota, duke tërhequr vëmendjen e mediave të medha europiane, siçështë edhe “Canal +” i Francës, të cilët erdhën pak javë më parë për të bërë një kronikë rreth ekzistencës së kesaj radioje në këtë vend të vogël të Ballkanit.
Po objektivat e Big Bastës reper cilat janë?
Big Basta ‘rapper’ do publikojë albumin “E 3ta E Ver8a” me bashkëpunime të shumta me emrat më të mëdhenj të skenës muzikore shqiptare. Madje publikimi i artistëve të rinj pjesë e 042 Zonë (studios muzikore që drejtoj) do të zërë një vend të rëndësishëm në 2017, pasi janë talente të padiskutueshëm. Bëhet fjalë për Addictive, Trinium (kompozitor) si edhe Pakki. Janë e ardhmja e hip- hopit jo vetëm shqiptar por europian.
Një bashkëpunim të çiftit do të shohim më apo keni bërë shumë?
Big Basta: Për momentin e kemi lënë me kaq, mbase dhe një për albumin tim.
Po motrën apo vëllain e Lianit kur do e shohim?
Big Basta: Motrën apo vëllain do ta bëjmë kur të na e vini djalin në gjumë, ju që interesoheni kur do bëjmë prap fëmije (qesh).
Tani duam një urim nga ju për festa…
Vesa: Uroj të keni shëndet, fat e shumë sukses në familjet tuaja! Uroj qëky vit t’u sjellë vetëm mbarësi dhe paqe për të gjithë!
Big Basta: Në rradhë të parë i uroj Vesës një vit sa më të mbarë dhe e falenderoj nga zemra që ekziston, sepse çdo ditë e më shumë më bën të lumtur me cilësitë që ka si femër edhe si nënë. Lianit i uroj edhe 2017 vite të tjera. Familjes sime i uroj vetëm shëndet dhe lumturi. Sa më shumë unitet dhe sukses. Shqiptareve i uroj një vit të qetë dhe pa politikë, pa urrejtje dhe pa gjaknxehtësi. Uroj të jeni të lumtur dhe dashuroni sa më shumë!