Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur për publikun si Gjesti, është përballur me drejtësinë në Prishtinë pas incidentit që çoi në arrestimin e tij më 11 mars 2026. Sipas raportimeve, artisti u ndalua rreth orës 15:00 në rrugën “Mehmet Isahi”, për t’u shoqëruar më pas në komisariat nën akuzën për armëmbajtje pa leje. Një ditë më vonë, detaje të tjera dolën në dritë. Sipas burimeve, Gjesti kishte shkuar në zyrat e kompanisë muzikore Onima, ku pati një konflikt verbal me drejtuesin e saj. Situata dyshohet se u tensionua gjatë debatit dhe raportohet se një kompjuter në ambientet e kompanisë u dëmtua, çka bëri që drejtuesit të njoftonin policinë për kanosje dhe dëmtim prone.
Në seancën gjyqësore që pasoi, këngëtari ka dhënë versionin e tij për ngjarjen, duke e lidhur reagimin me një moment të rënduar emocional. Para gjykatës, ai tha:
“Dua ta njoftoj gjykatën se jam në ankth dhe kam vepruar në gjendje ankthi. I kërkoj falje gjykatës, prokurorit dhe palës së dëmtuar”, një deklaratë që ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut dhe mediave.
Nga ana tjetër, mbrojtja ligjore e artistit ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim, duke argumentuar se reagimi i tij ishte impulsiv dhe se në raste të tilla zakonisht nuk ekziston rreziku që një veprim i tillë të përsëritet. Megjithatë, Gjykata në Prishtinë ka vendosur t’i caktojë këngëtarit masën e paraburgimit prej një muaji, një zhvillim që ka ndezur debat të gjerë në rrjetet sociale dhe në skenën muzikore shqiptare.







