Nesër dhe pasnesër (në datat 4 dhe 5 mars), në sallën e Universitetit të Arteve do të vihet në skenë projekti artistik me producente Rovena Dilon dhe koreograf Eltion Merjan. Shfaqja e ndarë në dy pjesë: “Pushteti i karriges” dhe “Herë lart, herë poshtë”, do të ketë premierën nesër mbrëma, ora 19:00. Eltion Merja si koreograf do të drejtojë trupën prej 14 balerinësh të TOB, ndërkohë që Dilo ka udhëhequr prej muajsh punën për këtë produksion. Shfaqja është prezantuar prej ditësh, në një fushatë të gjerë mediatike, por ajo që shumë pak është përmendur, është se paratë e mbledhura nga biletat e natës së dytë do të shkojnë në ndihmë të 21-vjeçares Anxhela Noçka, rasti i të cilës është bërë prezent disa kohë më parë në media. Anxhi vuan nga një sëmundje e rrallë dhe kurimi i saj kushton, e për këtë shkak shumë shqiptarë, përfshirë këtu dhe dyshen Dilo-Merja janë bërë bashkë për t’i ardhur në ndihmë. Ndaj nëse jo për baletin, bëjeni për Anxhin! Shkoni dhe shikojeni këtë shfaqje. / revistawho.com