Ndërsa dimri i gjatë europian fillon të zbutet dhe pranvera bën hapat e parë, muaji mars po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një nga momentet ideale për të zbuluar qytetet e kontinentit të vjetër. Sipas një përzgjedhjeje të publikuar nga Insight Vacations në platformën editoriale Insightful by Insight Vacations, marsi është një periudhë e nënvlerësuar për udhëtime urbane, kur Europa zgjohet nga “gjumi i dimrit” dhe destinacionet ofrojnë një kombinim të rrallë të temperaturave të buta, festivaleve kulturore dhe dyndjeve më të pakta të turistëve. Lista përfshin nëntë qytete që nga veriu i ftohtë me fenomene natyrore spektakolare, deri te Mesdheu që fillon të ngrohet.
1- Në krye të listës qëndron Amsterdami, ku marsi shënon fillimin e sezonit të tulipanëve. Fushat përreth qytetit dhe kopshtet e famshme si Keukenhof fillojnë të mbushen me miliona lule shumëngjyrëshe, ndërsa festivali i tulipanëve zhvillohet nga mesi i marsit deri në fillim të majit. Megjithëse temperaturat mbeten të freskëta, rreth 10°C, marsi konsiderohet ende sezon i qetë turistik, duke u dhënë vizitorëve mundësinë të eksplorojnë kanalet, muzeumet dhe lagjet historike pa turmat e verës.

2- Më pas vjen Lisbona, ku atmosfera e qytetit me ngjyrat e tij të verdha dhe ndërtesat karakteristike krijon ndjesinë e një pranvere të hershme. Temperatura mesatare rreth 18°C e bën qytetin ideal për shëtitje nëpër rrugët e pjerrëta dhe për të shijuar kafenë në sheshet e hapura, ndërsa “pastel de nata” dhe kafenetë tradicionale “Al frescho coffee” rikthehen në qendër të jetës urbane.

3- Në veri të kontinentit, Oslo ofron një eksperiencë krejt ndryshe për udhëtarët. Edhe pse Norvegjia nuk është destinacioni i parë për ata që kërkojnë ngrohtësi në mars, ekuinoksi pranveror i datës 20 mars rrit aktivitetin gjeomagnetik dhe krijon një nga momentet më të mira për të parë aurorën boreale. Përveç kësaj, qyteti përjeton një rritje të ndjeshme të orëve të dritës gjatë ditës, që mund të arrijnë deri në 13.5 orë, duke e bërë këtë periudhë ideale për vizita kulturore dhe eksplorim urban.

4- Ndërkohë në jug të kontinentit, Seville është një nga qytetet më të ngrohta për t’u vizituar në mars. Temperaturat mund të arrijnë deri në 20°C dhe aroma e luleve të portokallit mbush rrugët historike të qytetit. Nëse kalendari përputhet me periudhën e Pashkëve, vizitorët mund të përjetojnë edhe procesionet spektakolare të Javës së Shenjtë, një nga traditat më të njohura fetare dhe kulturore në Spanjë.

5- Lista vazhdon me Athinën, ku marsi ofron një alternativë shumë më të qetë ndaj vapës dhe turmave të verës. Temperaturat e buta e bëjnë të përkryer eksplorimin e qytetit dhe monumenteve të tij ikonike si Akropoli, ndërsa mbrëmjet mund të jenë më të freskëta, duke kërkuar një xhaketë të lehtë.

6- Një atmosferë festive e pret gjithashtu vizitorin në Dublin, ku rrugët me kalldrëm gjallërohen nga festimet e Ditës së Shën Patrikut. Edhe pse dita kryesore është 17 marsi, festimet fillojnë disa ditë më herët me performanca në rrugë, muzikë dhe festa në pub-et ikonike të zonës Temple Bar.

7- Në brigjet e Adriatikut, Dubrovniku ofron një version më të qetë të qytetit mesjetar që në verë mbushet me turistë. Marsi sjell mot të butë dhe restorantet e shumta fillojnë të rihapen pas dimrit, ndërsa vizitorët mund të eksplorojnë qytetin e vjetër pothuajse pa turma.

8- Pak më në jug, në Agrigento të Italisë, pranvera shënohet nga lulëzimi i bajameve që mbulojnë kodrat me lule të bardha. Qyteti organizon Festivalin e Lulëzimit të Bajameve dhe Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit, ndërsa vendi arkeologjik i famshëm “Valley of the Temples” bëhet edhe më spektakolar në këtë periudhë.

9- Në vendin e nëntë të listës renditet Tirana, një qytet që sipas ekspertëve të turizmit po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare. Dikur një destinacion pak i njohur për turistët, Shqipëria po rritet në popullaritet falë kostove të përballueshme, bukurisë natyrore dhe energjisë së relaksuar që ofron. Kryeqyteti shqiptar përshkruhet si një qytet dinamik ku historia dhe kultura moderne bashkëjetojnë, ku arkitektura tradicionale qëndron pranë kafeneve trendi dhe hapësirave urbane plot jetë. Marsi është gjithashtu muaji i parë i pranverës, kur qyteti mbushet me lulëzim dhe temperaturat gjatë ditës arrijnë nga 12 deri në 20°C, duke e bërë këtë periudhë ideale për ta eksploruar pa turmat e sezonit veror.








