Të enjten, princesha e Uellsit, së bashku me princin William, vizituan Muzeun e Historisë Natyrore në Londër. Vëmendjen këtë herë nuk e tërhoqi vetëm dalja publike e çiftit mbretëror, por pamja e re e Kate-it. E veshur me një këmishë të bardhë klasike dhe një xhaketë të stilit “tweed”, ajo u shfaq me një ngjyrë flokësh dukshëm më të çelët.
Ekspertët mbretërorë e shohin këtë ndryshim si një mesazh simbolik. “Më pëlqen që Kate nuk ka kaluar plotësisht te biondja platin, por ka zgjedhur një nuancë “bronde”. Është një kalim i butë që e mban të lidhur me bazën e saj brune, imazh me të cilin publiku është mësuar, ndërkohë që eksperimenton me tonet më të çelëta,” shpjegoi komentatorja mbretërore Amanda Matta.
Sipas saj, zgjedhja e re reflekton besim dhe freski: “Kate ka përqafuar silueta më pak të ngarkuara, veshje më të relaksuara, dhe tani një model flokësh më të plotë e më të çelët. Këto janë zgjedhje që duken si rikthim i forcës dhe i vetëbesimit, pothuajse si një terapi.”
Tradicionalisht, anëtarët e familjes mbretërore kanë përdorur veshjen dhe pamjen si gjuhë vizuale për të përcjellë mesazhe. Ndryshimi i ngjyrës së flokëve nga princesha e Uellsit, sipas Matta-s, sinjalizon një “rinovim pa lëvizje drastike”, duke treguar se ajo është gati të rikthehet në qendër të vëmendjes pas një periudhe të vështirë.
“Ky ishte momenti perfekt për të prezantuar këtë pamje të re,” shtoi ajo. “Me fillimin e vitit shkollor të fëmijëve dhe përfundimin e pushimeve verore, është një pikë natyrale për t’u riangazhuar me publikun. Ndryshimi i flokëve jo vetëm që i jep një shtysë personale pas një viti të lodhshëm, por gjithashtu bën që njerëzit të rikthejnë vëmendjen tek ajo.”








