Pas muajsh heshtjeje dhe spekulimesh, Fedez ka vendosur të rrëfejë gjithçka në autobiografinë e tij të re me një titull që tingëllon njëkohësisht filozofik dhe dramatik: “L’acqua è più profonda di come sembra da sopra” (në shqip, “Uji është më i thellë nga ç’duket nga sipër”).
Në këtë libër, reperi flet hapur për gjithçka: nga dashuria me Chiara Ferragni-n, te tradhtitë emocionale, përballja me tumorin, përvoja në Sanremo dhe, sigurisht, skandali i njohur si Pandoro-gate.
“Ishim dy botë të ndryshme që s’mund të bashkëjetonin”
Që në faqet e para, Fedez pranon se marrëdhënia me Chiara-n kishte shumë bukuri, por edhe përplasje të heshtura që, me kalimin e kohës, krijuan një hendek të thellë:
“Ishim dy botë të ndryshme që ishin të destinuara të largoheshin. Diferencat mes nesh dilnin në sipërfaqe si ajsbergë që mezi prisnin ta fundosnin anijen,” shkruan ai.
Megjithatë, reperi nuk e fsheh mirënjohjen dhe ndjenjat e sinqerta për ish-bashkëshorten e tij:
“Me Chiara-n kam ndarë frikërat më të mëdha. Ajo ka qenë krahu im i djathtë. Më ka dëgjuar kur gjithçka më dukej e pashpresë. Më ka bërë të mos ndihem vetëm.”
Dhe ndonëse historia e tyre ka marrë fund, Fedez tregon se dëshira për të mbetur një prind i mirë është më e fortë se çdo gjë tjetër:
“I uroj një të ardhme të ndritshme dhe të lumtur, sidomos për fëmijët tanë, sepse ata meritojnë të rriten në një ambient të shëndetshëm.”
Angelica Montini, “ndjenja që të kap në gjoks dhe të lë gjak”
Në libër, Fedez flet edhe për një tjetër emër që u përfol shumë pas ndarjes: Angelica Montini. Ai sqaron se e kishte njohur Angelica-n para se të martohej me Chiara-n dhe se lidhja e tyre ishte e vërtetë, por e ndryshme nga ajo që kishte më pas me influenceren:
“Ishte një ndjenjë e fortë, ajo që të kap në gjoks dhe të lë gjak… Por jo, nuk është e vërtetë që e kam telefonuar pesë minuta para martesës.”
Në rrëfimin e tij, ai bën një krahasim mes dy grave më të rëndësishme të jetës së tij:
“Me Chiara-n jeta ishte si një reklamë e Mulino Bianco-s — e përsosur, e paketuar, me drita. Por me Angelica-n nuk kishte skena, nuk kishte spektakël. Ndjenja për Chiara-n ishte reale. Ndjenja për Angelica-n ishte ndryshe. Me Chiara-n doja të ndërtoja. Me Angelica-n doja të ëndërroja.”








