Historitë e dashurisë lindin kudo, në tokë, në qiell, në ujë, në dritat e ndezura, në ato të fikura, në ekran, jashtë tij. Ashtu ka ndodhur edhe me Uedën dhe Arlindin. Një aplikim në një reality-show(Love Island) ndryshoi gjithçka. Nuk u deshën shumë muaj, as shumë vite që ata të dy ta kuptonin se dashuria e tyre po ndërtonte një kështjellë të pastër, të bekuar. Mes kamerave dhe jashtë tyre, ata u bashkuan në ndjesitë e shpirtit. Tanimë janë prindër të një vajze, Ameas që është bekimi i tyre më i madh dhe sot janë të tre në WHO, për të rrëfyer jetën dhe dashurinë.
Intervista nga Manjola Markola
Photoshooting: Orsola Mema
Make-up: SuelaÇangu
Si ka qenë ky vit për ju?
Ueda & Arlindi:
-Ky vit ka qenë një nga më të rëndësishmit e jetës sonë. Gjithçka ndryshoi, dhe ndryshoi për mirë. Kemi kaluar momente shumë të bukura, por edhe sfida që i kemi përballuar gjithmonë krah për krah. U bëmë prindër për herë të parë, një bekim që na ka dhënë forcën dhe motivimin më të madh në çdo hap.
Arlindi: Ueda po ndërton një jetë të re në një vend të ri dhe, edhe pse ndryshimet kanë qenë të mëdha, i kemi përballuar më të fortë se kurrë. Ky vit na provoi se jemi një ekip i vërtetë dhe sot mezi presim gjithçka që na pret përpara, sepse synimet tona janë të mëdha, dashuria jonë është e fortë dhe energjia jonë më e madhe është vajza jonë.
Jeni një çift që dukeni si nga kartolinat, por si ka qenë realisht rrugëtimi juaj?
Ueda: Si çdo çift, fillimi nuk ka qenë gjithmonë i qetë. Mësuam të komunikojmë më mirë dhe të përballojmë jetën e re si prindër. Për mua, nuk ishte vetëm shtatzënia dhe të qenit nënë për herë të parë, por edhe zhvendosja në Gjermani, mësimi i gjuhës dhe fillimi i një pune të re atje.

Kur një çift krijohet në një reality show, shpesh paragjykohet. Si ishte për ju?
Arlindi: Gjykimet nisën që gjatë shfaqjes. Jo shumë njerëz na besuan, por koha tregoi se kishin gabuar. Kishte dyshime se nuk do të zgjaste lidhja jonë, por sot marrim mesazhe ku njerëzit na kërkojnë falje dhe thonë se nuk e besonin që një lidhje e vërtetë mund të lindte nga një “reality show”.
Kur aplikuat për “Love Island”, mendonit se do gjenit njeriun e jetës?
Ueda: Isha me dy mendje. Madje në një moment i thashë produksionit që nuk do të shkoja, por kisha një ndjesi se po humbisja një mundësi të madhe.
Arlindi: Nuk e besoja plotësisht, por nuk isha i mbyllur ndaj idesë.
Çfarë ju kujton sot ajo eksperiencë?
Ueda: E kujtoj si një pushim të këndshëm. Harrova kamerat dhe e shijova çdo moment. Kishim vetëm 4 javë si çift dhe më dukej sikur koha nuk mjaftonte. Sot kemi gjithë jetën, tashmë të mbushur me Amean.
Arlindi: “Love Island” më kujton diellin, argëtimin dhe surprizat, por mbi të gjitha vendin ku lindi diçka shumë më e madhe se vetë spektakli: marrëdhënia jonë.
Ueda, çfarë të bëri të zgjidhje Arlindin?
Ueda: Ishte një ndjesi. Ai më dëgjonte, më respektonte dhe tregoi pjekuri. Një moment i vogël, kur u dogja aksidentalisht dhe ai u kujdes për mua, më bëri të kuptoj se kisha përballë dikë që mund të ishte aty për mua gjithmonë.

Arlind, çfarë të bëri të zgjidhje Uedën?
Arlindi: Që në momentin e parë, diçka brenda meje ndryshoi. Ishte aura e saj, sytë, prania. Çdo ditë më pas vetëm e konfirmoi atë ndjesi të parë: Ueda është gruaja që i jep kuptim gjithçkaje që kërkoj te një partnere.
A është e vështirë të mbash një lidhje që ka nisur para kamerave?
Ueda & Arlindi: Të krijosh një lidhje është e lehtë, por ta mbash të shëndetshme kërkon punë, empati dhe respekt, sidomos pas martesës dhe fëmijëve. Është një përgjegjësi shumë e madhe dhe duhet përkushtim nga të dyja palët.
Si e morët vesh që do bëheshit prindër?
Ueda: Nuk u habita. Isha e lumtur që po bëhesha nënë në moshë të re. Ia thashë Arlindit me një test shtatzënie, i cili ishte në gjermanisht dhe nuk dinim si ta lexonim, ndaj e zbuluam bashkë në të njëjtën kohë.
Si ka ndryshuar jeta juaj pas lindjes së Ameas?
Arlindi: Ka ndryshuar për mirë. Jeta ka një kuptim më të madh dhe çdo vendim na ka çuar te ajo. Jemi shumë të bekuar.
A ndryshon marrëdhënia në çift pas ardhjes së një fëmije?
Ueda: Po, sigurisht. Ka më pak kohë për veten, më shumë lodhje dhe më shumë sfida, por ia vlen. Lumturia e Ameas është lumturia jonë.

A e keni menduar të jetoni në Shqipëri?
Ueda & Arlindi:
Po, por aktualisht mundësitë në Gjermani janë më të mëdha. Do të zhvendoseshim vetëm nëse do të kishim të njëjtin ose një stil jetese më të mirë.
Nëse do ta kthenit kohën pas, do të aplikonit sërish në “Love Island”?
Ueda: Po, 100 herë, nëse do dija rezultatin.
Arlindi: Pa hezitim. Rreziku ia vlejti sepse na dha diçka që nuk ka çmim: një lidhje të vërtetë.
Sa mbështetëse kanë qenë familjet tuaja?
Arlindi: Shumë. Familjet tona e kanë ndjerë që në fillim që mes nesh kishte diçka të vërtetë. Bekimi i tyre na ka forcuar edhe më shumë.

Cilat janë ëndrrat tuaja për të ardhmen?
Ueda & Arlindi: Një jetë e qëndrueshme, një familje me dashuri, respekt dhe siguri. Vajza jonë është motivimi ynë më i madh. Të tre së bashku jemi një ekip i pandalshëm.
1. Kush është më xheloz? Arlindi
2. Kush kërkon falje i pari? Arlindi
3. Kush harxhon më shumë? Ueda
4. Kush i prish planet i pari? Ueda
5. Kujt i ngjan vajza më shumë?Miks
6. Kush gatuan në shtëpi? Ueda
7. Kush harron datat e rëndësishme? Arlindi
8. Kush shpenzon më shumë kohë në telefon? Arlindi
9. Kush është më romantik në gjeste të vogla? Arlindi
10. Kush e humbet durimin më shpejt? Ueda
11. Kush vonohet gjithmonë? Ueda
12. Kush ka shakatë më “funny”? Arlindi
13. Kush kursen më shumë? Ueda
14. Kush ia ndërron pelenat vajzës? Të dy bashkë
15. Kush e thotë fjalën e fundit në debate? Ueda









