Në një mbrëmje ku shkëlqimi i Oscars vazhdon edhe pas ceremonisë, një tjetër histori mori vëmendjen, jo për glamur, por për tension. Në një nga festat më ekskluzive të natës, ku emra si Taylor Swift, Travis Kelce, Timothée Chalamet, Kylie Jenner dhe Emma Stone ishin pjesë e atmosferës, fokusi u zhvendos papritur te një përballje e papritur mes Usher dhe Justin Bieber.
Sipas raportimeve të TMZ, dy artistët u përfshinë në një debat të ashpër gjatë eventit, një moment që, sipas burimeve, rrezikoi të kalonte edhe në kontakt fizik. Megjithatë, njerëz pranë Bieber kanë hedhur poshtë këtë version, duke këmbëngulur se bëhej fjalë vetëm për një “grindje” verbale, një tension i momentit që nuk shkoi më tej.
Por ajo që e bën këtë histori më të thellë se një debat i zakonshëm është e kaluara e përbashkët mes tyre. Usher nuk është thjesht një koleg, ai është një nga figurat kyçe që ndihmoi në ngritjen e Bieber në fillimet e karrierës së tij, duke e mbështetur që në adoleshencë dhe duke luajtur rol vendimtar në nënshkrimin e kontratës së tij të parë muzikore së bashku me Scooter Braun. Një marrëdhënie mentor–nxënës që sot, sipas disa burimeve, mund të jetë ftohur prej kohësh.
Në një natë ku gjithçka bën jehonë, edhe reagimi publik nuk mungoi. 50 Cent, duke komentuar mbi imazhin që po qarkullon në rrjet, shkroi fjalë për fjalë:
“Isha një fëmijë, pse e le që ai të ma bënte atë. 😟 Kjo është ajo që mendova kur pashë këtë foto”, një reagim ironik dhe i koduar që shtoi edhe më shumë zhurmë rreth episodit. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron paradoksi i Hollywood-it, mes shkëlqimit dhe spektaklit, dramat më të mëdha ndodhin në heshtje, por mjafton një moment për t’i kthyer në histori globale.









