Në një nga mbrëmjet më të vëzhguara të vitit, Leonardo DiCaprio u shfaq në ceremoninë e Oscars 2026 në shoqërinë e Vittoria Ceretti, duke shënuar një nga paraqitjet e tyre më domethënëse si çift në publik. Edhe pse nuk ecën së bashku në tapetin e kuq, prania e tyre në të njëjtin event u lexua si një sinjal i qartë për një marrëdhënie që po fiton peshë dhe stabilitet, larg ekspozimit të zakonshëm mediatik që shpesh shoqëron jetën e aktorit.
Sipas burimeve pranë aktorit, kjo lidhje konsiderohet “më e thellë dhe më serioze se të mëparshmet”, me DiCaprio-n që thuhet se është “më i përkushtuar dhe i hapur ndaj një marrëdhënieje afatgjatë”. Një zhvillim që për shumëkënd përfaqëson një kthesë të rëndësishme në jetën personale të një prej figurave më enigmatike të Hollywood-it, i njohur për diskrecionin dhe ciklet e shkurtra romantike.
E ndërsa dyshja, e përfolur për herë të parë në gusht të vitit 2023, është parë gjithnjë e më shpesh së bashku në udhëtime dhe evente ndërkombëtare, burimet theksojnë se pavarësia dhe identiteti profesional i Ceretti-t janë element kyç në këtë raport.
Në sfond, DiCaprio vijon suksesin profesional me projekte të vlerësuara dhe një bashkëpunim të ri me Martin Scorsese në filmin What Happens at Night, përkrah Jennifer Lawrence, një paralelizëm i qartë mes një karriere të konsoliduar dhe një jete personale që duket se po hyn në një fazë të re, më të qëndrueshme.









