Viti 2015 solli sa përmirësime, aq edhe trazira në skenën botërore, që nga vala e emigrantëve deri te zbulimi i NASA-s në Mars dhe shtimi i identitetit seksual të ndryshueshëm nëpër botë.
Çfarë do të mbajmë mend më së shumti nga viti 2015? Vogëlushin e mbytur në një plazh në Turqi, deklaratat trashanike të Donald Trump, sulmet terroriste në Paris apo kryengritjet racore në SHBA?
Ja cilat ishin ngjarjet kryesore në botë për vitin 2015, jo për nga përmasat që patën më shumë sesa nga debati që arritën të nxisin shkruan Gazeta Shqip.
Sulmet terroriste në Paris
Grupimi më i madh terrorist në botë, Shteti Islamik apo siç njihet ndryshe nën akronimin famëkeq IS, ISIS apo dhe ISIL, kreu sulme të shumta terroriste në Lindjen e Mesme përgjatë këtij viti.
Ata sulmuan më 13 nëntor edhe Parisin, duke vrarë 130 persona dhe duke e futur qytetin e ëndrrave e dritave, në një terr të përkohshëm. Sulmet në zemër të Europës nxitën ndjesi antiislamike dhe treguan mundësinë e IS-it për të goditur ngado.
Donald Trump dominon fushatën në SHBA
Kur filloi viti, Jeb Bush shihej si kryesuesi i republikanëve në garën presidenciale, por pastaj, Donald Trump nga manjat biznesi, u kthye në yll televizioni. Nga mesi i verës, Trump fitoi gjithnjë e më shumë mbështetje dhe vëmendje, duke lënë mënjanë politikanët e tjerë.
Pavarësisht deklaratave të tij fyese që varionin që nga ato për gratë deri tek ato për myslimanët, Trump çuditërisht ka vijuar të fitojë pikë në garën presidenciale në SHBA për vitin 2016.
Kriza e emigrantëve gjunjëzon Europën
Rreth 1 milion emigrantë kanë hyrë në portat e Europës nga Siria, Afganistani dhe vende të tjera. Kjo ka nxitur jo pak tension në politikën europiane dhe ka shkaktuar ksenofobi te vendasit. E gjendur përballë valës së migrantëve të dëshpëruar, Europa u zu në befasi.
Qindra persona kanë vdekur në Mesdhe, në përpjekje për të kaluar në Greqi dhe Itali. Fotoja më e përhapur ishte ajo e një djali sirian, Aylan Kurdi, 3 vjeç, trupi i të cilit doli në një breg në Turqi.
Trazirat raciale në SHBA
Lëvizja “Jetët e zeza kanë rëndësi” është bërë më aktive këtë vit pas të shtënave në vitin e shkuar ndaj djalit me ngjyrë të paarmatosur Michael Brown nga policia në Ferguson, Mizuri.
Trazirat tronditën Baltimoren në prill dhe më pas në nëntor Çikagon, kur u publikua një video e qëllimit me armë të një adoleshenti me ngjyrë nga policia. Këto incidente kanë ngjallur protesta të mëdha në qytetet e Amerikës së Veriut.
SHBA legalizon martesat gej
Mbështetja në favor të martesës së seksit të njëjtë në SHBA, ka qenë e madhe dhe në rritje, por ajo arriti kulmin kur Gjykata e Lartë vendosi se çiftet gej të mund të martoheshin kudo në SHBA. Shumë çifte të seksit të njëjtë, nxituan të martohen në 13 shtetet ku këto bashkime ishin të jashtëligjshme.
NASA zbulon të reja për Plutonin dhe Marsin
Në korrik, anija kozmike e NASA-s bëri fluturimin e parë njerëzor pranë Plutonit, duke shkrepur foto dhe duke bërë zbulime befasuese, si prania e maleve të akullta. Për të arritur në Pluton, u deshën 9 vite dhe 3.6 miliardë milje. Dy muaj më vonë, NASA lajmëroi se kishte gjetur prova uji në Mars.
Marrëveshja bërthamore me Iranin
Në korrik, Shtëpia e Bardhë lajmëroi nënshkrimin e një marrëveshjeje me Iranin që do të lehtësonte sanksionet ekonomike kundër vendit islamik në këmbim të kufizimeve të reja të armëve bërthamore. Një pikë kyçe e politikës së jashtme të Presidentit Obama, marrëveshja shënoi një kthesë historike në marrëdhëniet SHBA-Iran, ndërsa tërhoqi kritika nga Izraeli dhe republikanët në Kongres.
Debati për armët në SHBA
Një çift i armatosur vrau 14 persona në Kaliforni të SHBA-së më 2 dhjetor, duke rikthyer në vëmendje debatin amerikan për armët. Shumë shtete amerikane janë tronditur nga të shtënat dhe vrasjet masive gjatë këtij viti dhe më herët, duke ngritur pikëpyetje, nëse shoqëria amerikane duhet të heqë dorë nga armët.
Marrëveshja klimatike
Në dhjetor, përfaqësues nga 195 vende miratuan një marrëveshje historike për të ulur çlirimin e dyoksidit të karbonit në atmosferë, duke braktisur karburantet fosile në këmbim të energjisë së rinovueshme. Marrëveshja synon ta kufizojë rritjen e ngrohjes globale nën 2 gradë celsius.
Rritja e identitetit transgjinor
Në një intervistë televizive shumë të ndjekur në prill, ish-fituesi olimpik dhe ylli i programeve reality në SHBA, Bruce Jenner, tha në intervistë me Diane Sayer: “Po, nga të gjitha aspektet dhe qëllimet, unë jam një grua”. Gjashtë javë më vonë, Jenner zbuloi një pamje të re dhe një emër të ri në kopertinën e revistës “Vanity Fair”. Tranzicioni i saj ka sjellë në vëmendje ndryshimin e identitetit seksual, te shumë persona në botë.
Burimi: CNN