Intervista: Manjola Markola
Photoshooting: Endrit Mertiri
Makeup:HenriGjata(MUA)
Hairstylist:florihairstyle
Stylist:Vlora&Kaltrina
Bukuria endet në vise të bekuara, të brishta, e bukura herë të bekon e herë të vret, herë të ul me këmbë në tokë e herë të tjera të ngre në qiell. Në jetë sytë na bekohen shumë herë me bukuri të papërshkruara, nga ato që fjalët bëhen të vogla para tyre. E në dëshirën për të gjetur bukuri të tilla, ne kemi një nga ato të bukurat që e përqafon kujtesën tonë përjetësisht dhe po, e kemi fjalën për Paula Mehmetukajn, bukuroshen që në dritën e aparatit e përtej tij, ngjan një mrekulli. Nga Miss Universe 2020, në billboarde ndërkombëtare, për Paulën këto vite kanë qenë magji dhe ashtu i rrëfen edhe vetë ajo…
Si ka qenë kjo periudhë e parë e vitit për ty, pasi ke thënë që 2023 ishte viti yt, por si e quan vitin 2024?
2024 ka qenë një vit pa asnjë ditë pushimi për mua. Nëse 2023 ishte viti i arritjeve dhe sukseseve, 2024 është viti i punës, projekteve dhe horizonteve të reja. Kemi pasur shumë projekte të rëndësishme përsipër që kanë kërkuar dedikim non-stop dhe impenjim të madh nga unë dhe skuadra ime dhe deri tani kanë shkuar shumë mirë.
Nëse shkruajmë emrin tend, gjejmë një pafundësi fjalësh dhe sigurisht që shumica prej tyre qëndrojnë tek “e bukura.” Çfarë është për Paulën të jesh e bukur?
Unë e them gjithmonë, për mua, bukuria shkon përtej pamjes fizike. Bukuria e vërtetë qëndron në vetëbesimin, sjelljen dhe aftësinë për të frymëzuar të tjerët. Është forca e brendshme dhe pasioni për të bërë një ndryshim dhe guximi për të mbrojtur ato që beson. Bukuria është autenticiteti dhe përqafimi i cilësive unike të vetes.
Evente, konkurse, billboard-e, emrin tënd po e shohim kudo. Si e gjen veten në të gjithë këtë që keni ndërtuar, duhet thënë në pak vite?
Për mua është krenari por mbi të gjitha përgjegjësi e madhe, pasi asgjë nuk ndodh rastësisht, por është rezultat i një pune të jashtëzakonshme nga unë dhe njerëzit e palodhur që më rrethojnë. Një projekt i shfaqur është thjesht maja e ajsbergut ndërkohë që është bërë një punë kolosale për të arritur këtu ku jemi. Sic e thashe dhe më lart për të arritur suksesin nuk ka pushim por vetëm punë, përpjekje dhe arritje.
Duket se koha jote në fakt ka gjetur një të mesme të artë, sepse jo vetëm që je e përfshirë në projekte artistike, por je gjithashtu pjesë e Kongresit Kombëtar të Rinisë. A janë këto dy rrugë që i lejon të ecin paralelisht?
Absolutisht. Besoj se përfshirja ime në projekte te ndryshme dhe puna ime ne Kongresin Kombëtar të Rinisë e plotësojnë njëra-tjetrën. Të dyja rrugët janë të nderthurura nga angazhimi im për të sjellë një ndikim pozitiv në shoqëri dhe nga perspektiva për të kontribuar në mënyrë domethënëse. Edukimi, rritja profesionale, trajnimet e ndryshme ndërthuren bashkë me modën, fotografine, modelingun dhe pasionet e mia duke plotësuar njëra-tjetrën.
Në cilën hapësirë e gjen Paula më shumë veten, në një zyrë apo në një set fotografik?
Të dyja mjediset ushqejnë aspekte të ndryshme të asaj që jam dhe më lejojnë të balancoj pasionet nga njëra anë dhe angazhimet profesionale nga ana tjetër por më tepër veten e gjej para aparatit fotografik pasi kam lirshmërinë totale të jem vetvetja dhe te shpreh kreativitetin kornizave të zyrës.
A besoni në ëndrra apo në qëllime jetësore?
Besoj në të dyja, si në ëndrra ashtu edhe në qëllime jetësore. Ëndrrat na frymëzojnë të imagjinojmë atë që është e mundur dhe na shtyjnë përtej kufijve tanë. Qëllimet jetësore ofrojnë një plan për t’i arritur keto ëndrra. Te dyja funksionojnë bashkë, për të arritur ëndrrat na duhen qëllimet, vendosmëria për të shkuar më tej.
Si e ke projektuar të ardhmen tënde 5 ose 6 vjet më parë, dhe si e projekton të ardhmen tënde tani?
Para 5 ose 6 viteve nuk e shikoja fare të ardhmen në atë që posedoj sot, eshte komplet pertej asaj qe kisha menduar . Pas 5 ose 6 vitesh uroj të shoh një Paula më të rritur dhe më të përmbushur në jetën e saj profesionale dhe sigurisht personale.
Nëse do të veçoje një moment unik në jetën tuaj, cili do të ishte ai?
Një moment unik për mua do të ishte kur u kurorëzova Miss Universe Albania 2020. Ishte një pikë kthese që hapi shumë dyer dhe shënoi fillimin e një udhëtimi që më lejoi të lidhem dhe të frymëzoj shumë njerëz.
Ideja është krijuar që vajzat e bukura nuk qajnë, nuk mërziten, nuk vuajnë, por në fakt, çfarë të shqetëson në jetën e përditshme? A vuan ti moj Paula?
Si të gjithë të tjerët, kam vështirësitë dhe momentet ku shpesh lodhem, mërzitem apo thjesht dua pak qetësi, por e rigjej gjithmonë forcën për t’ia dalë mbanë dhe për të vazhduar.
A ndikohesh nga fjalët e të tjerëve teksa ngjit shkallët e karrierës?
Fjalët jo, kritikat po. Kritikat më ndihmojnë të përmirësohem, dhe forcojnë vendosmërinë time për të arritur qëllimet qe i kam vendosur vetes pavarësisht pengesave.
A ka një person, ose ndoshta disa, të cilëve u je mirënjohëse për atë që je sot, ose që kanë qenë me ty në rrugën që ke nisur dhe në të cilën po ecën?
Jam jashtëzakonisht mirënjohëse për familjen time, e cila ka qenë mbështetja ime më e madhe. Gjithashtu jam mirënjohëse për shumë njerëz që gjatë këtij rrugëtimi janë kthyer në familje për mua, për miqtë e mi, për ekipin tim dhe të gjithë ata që kanë besuar në vizionin tim dhe kanë mbështetur nismat e mia.
Çfarë bën Paula në kohën e saj të lirë, ka ndonjë hobi, ndonjë pasion?
Në fakt kam shumë pak kohë të lirë pasi angazhimet dhe puna më zënë pjesën më të madhe të ditës, por atë pak kohë që kam shkoj gjithmonë në palestër, takime me miqtë, udhëtime kur premton kohaë pse jo.
Paula se fundmi ishe pjesë e nje evenimenti shumë të rëndësishëm “Etnografia Shqiptare ne Rome”, ku shumë pak personazhe kishin fatin te ishin pjesë, si ishte kjo eksperiencë për ty?
Mund të them një nga eksperiencat më të bukura, Italia është vendi i artit, kulturës dhe antikitetit dhe ne arritëm t’i tregojme atyre etnografinë, traditën, kulturën tonë dhe e promovuam vendin tonë si një atraksion të veçantë turistik.
Çfarë roli ka luajtur familja jote në formimin tënd, a ke gjetur mbështetje në rrugën tënde apo ishin edhe pak skeptikë?
Familja ime ka luajtur një rol thelbësor në formimin tim. Gjithmone kanë mbështetur qëllimet e mia dhe më kanë inkurajuar në çdo hap. Pa to nuk do isha këtu ku jam, janë forca me e madhe dhe jam falënderuese pafund ndaj tyre.