Vetëm pak javë pasi i dha fund lidhjes me aktoren e njohur Hande Erçel, biznesmeni turk Hakan Sabancı është rikthyer sërish në titujt e mediave rozë. Këtë herë, shkak është bërë një tjetër emër i njohur i kinematografisë turke, aktorja Tuba Büyüküstün.
Sipas portaleve turke T24, Aksam dhe Onedio, gjithçka nisi nga një gjest i thjeshtë në rrjetet sociale. Sabancı pëlqeu një foto të aktores, e cila ndodhej në Paris Fashion Week. Megjithatë, pëlqimi i tij nuk kaloi pa u vënë re nga fansat, të cilët e shpërndanë menjëherë në rrjetet sociale, duke hapur diskutime për një lidhje të mundshme mes dyshes.
Çfarë e bëri situatën edhe më interesante ishte fakti se Sabancı e hoqi pëlqimin vetëm pak minuta më vonë, një veprim që shtoi dyshimet se gjithçka mund të ketë qenë më shumë se një klikim i rastësishëm.
Mediat turke e kanë cilësuar këtë si një “lëvizje të shpejtë” nga Hakan Sabancı pas ndarjes me Hande Erçel. Ndërkohë, fansat janë ndarë në mendime – disa e shohin si një sinjal për një romancë të re, ndërsa të tjerë e interpretojnë si një veprim impulsiv që vetëm sa ka ushqyer thashethemet.
Sipas Aksam, “Sabancı, që së fundmi i dha fund lidhjes me Hande Erçel, i la një zemër Tuba Büyüküstün, por e hoqi menjëherë pasi komentet shpërthyen në rrjet.”
Ndërsa T24 shkruan se “edhe pse pëlqimi u fshi shpejt, ndjekësit e vunë re menjëherë dhe e interpretuan si shenjë të një afrimi mes dyshes.”
Deri më tani, as Hakan Sabancı dhe as Tuba Büyüküstün nuk kanë reaguar publikisht për ngjarjen. Burime pranë tyre kanë deklaruar për mediat se gjithçka ka qenë “rastësi”, por kjo nuk ka mjaftuar për të ndalur aludimet për një lidhje të mundshme në horizont.








